Gregg Popovich vlerësohet si më i miri i NBA-së, një trajner që ka fituar pesë tituj dhe ka mbajtur ekipin e tij në krye për një çerek shekulli. Në basketbollin ndërkombëtar, ai ende nuk e ka gjetur atë prekje të artë. Popovich ka qenë në stafin e tri ekipeve amerikane në Lojërat Olimpike ose kampionatet botërore dhe vetëm njëri prej tyre arriti në podium për medalje. Është një histori për të cilën ai nuk mendon shumë, ndërsa drejton amerikanët në Tokio.
“Ndonjëherë dështon dhe ndonjëherë fiton”, pranoi Popovich.
Deri më tani, ekipet e tij vetëm kanë dështuar. Trajneri i San Antonio Spurs ishte një ndihmës i Larry Brownit kur amerikanët u larguan nga Athina me medalje të bronztë në vitin 2004, e vetmja Olimpiadë që nuk kanë fituar qëkur debutuan lojtarët e NBA-së në vitin 1992. Dy vjet më parë, ai ishte në stafin e George Karlit për një ekip që përfundoi i gjashti në Kampionatin Botëror të mbajtur në SHBA. Popovich më në fund mori drejtimin e ekipit të SHBA-së në vitin 2019 për Kampionatin Botëror dhe amerikanët shënuan gjashtë fitore karshi dy humbjeve, për të përfunduar në pozitën e shtatë, që edhe ishte rezultati më i keq i tyre në një turne të madh basketbolli. Popovich nuk është shumë për diskutime të thella në lidhje me strategjinë e basketbollit, edhe pas fitoreve. Pra, ai sigurisht nuk është i interesuar në detaje specifike rreth asaj që shkoi keq dhe që çoi në një bilanc prej 17 fitoreve dhe tetë humbjeve me ato tri skuadra.
“E kaluara nuk ka shumë rëndësi përveç asaj se çfarë mësimesh kemi mësuar prej saj. Dhe, mund të them se kemi mësuar shumë”, tha Popovich. “Duhet të luajmë më mirë, ta respektojmë kundërshtarin dhe të kemi dëshirë më të madhe për fitore. Nëse nuk i bëjmë këto, atëherë gjasat janë të mëdha për të humbur. Pra, është shumë e thjeshtë. Nuk është një shkencë e raketave”.
Ndoshta nuk është shkencë, siç thotë Popovich, por është më e komplikuar se loja që aplikohet në NBA. Dështimet e SHBA-së, ishin kryesisht për shkak të çështjeve të personelit. Një mori lojtarësh kryesorë të NBA-së u tërhoqën nga Athina, kur ende kishte një shqetësim rreth udhëtimit pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2001. Më shumë yje e refuzuan mundësinë në vitin 2019, të painteresuar për të shkuar në Kinë për Kampionatin Botëror, kur Lojërat Olimpike ishin planifikuar të ktheheshin në Azi një vit më vonë. Por, ka edhe sfida me trajnimin e ekipit amerikan që Popovich rrallë u përball te San Antonio Spurs. Tim Duncan, Tony Parker dhe Manu Ginobili ishin së bashku dhe për një kohë ishin shtyllat kryesore të skuadrës së Popovichit. Por, është e pamundur për çdo ekip ta ketë një lidhje të tillë kur është së bashku për vetëm disa javë, si ekipi olimpik.
“Duhet shumë kohë për t’i kuptuar gjërat”, tha trajneri i Milwaukeet, Mike Budenholzer, një ish-ndihmës i Popovichit te San Antonio. “Pra, ju nuk mund ta krijoni lidhjen në ekipin olimpik për dy minuta apo dy stërvitje. Kërkon shumë kohë, nuk mjaftojnë ca ndeshje”.
Ndoshta, kjo edhe është arsyeja se pse një trajner kolegji e ka më të lehtë të jetë i suksesshëm në turne të mëdhenj. Ata ndonjëherë kanë përbërje të ndryshme nga sezoni në sezon dhe duhet të kuptojnë se si të fitojnë shpejt me ato. Për të mos përmendur, ata janë mësuar të luajnë turne me eliminim në një ndeshje, që përfshijnë raundet për medaljet olimpike, në vend të serive me shtatë ndeshje si homologët e tyre në NBA. Kjo është rruga që Jerry Colangelo, drejtori i federatës, e bëri në vitin 2005 me ekipin kombëtar të SHBA-së, kur ai punësoi Mike Krzyzewskin si kryetrajner, mbi Popovichin, edhe pse amerikanët kishin përdorur trajnerë të NBA-së kur dërgonin lojtarë të ligës më të fortë në botë në Lojërat Olimpike. Amerikanët humbën vetëm një ndeshje në një dekadë nën drejtimin e trajnerit të kolegjit “Duke”, por Colangelo nuk hezitoi të kthehej te profesionistët kur ishte koha për trajnerin e tij të ardhshëm.
“Krzyzewski ishte një nga trajnerët më të mirë të kolegjit, kurse Popovich ishte prej më të mirëve në NBA, bazuar në përvojën dhe suksesin. Kështu që, ndihem shumë i sigurt në zgjedhjet e mia që i bëra atëherë, dhe më vonë me zgjedhjen e Popovichit”, tha Colangelo.
Kjo nuk ka ndryshuar as pas dy humbjeve në katër ndeshjet kontrolluese të SHBA-së para nisjes për në Japoni. Asnjë trajner, përfshirë këto të gjitha sportet profesioniste në SHBA, nuk mund të ishte i përgatitur në mënyrë perfekte për këto Lojëra Olimpike se Popovichi. Lojtarët besojnë se Popovichi do të jetë në gjendje ta udhëheqë ekipin drejt medaljes së artë.
“Ishte një ëndërr e imja të luaja për trajnerin Krzyzewski dhe gjithmonë ka qenë një ëndërr për të mësuar edhe nën urdhrat e Popovichit”, tha ylli amerikan Kevin Durant. “Kështu që, ai patjetër ishte një nga faktorët kryesorë që unë mora vendim për të luajtur në Lojërat Olimpike, ku besoj se do ta fitoj medaljen e artë”.