Pos Majlinda Kelmendit me shumë emocion eliminimin e saj në raundin e parë të Lojërave Olimpike e ka përjetuar edhe trajneri Driton Kuka.
Kuka është bërë i njohur në gjithë botën fillimisht falë sukseseve të Majlindës. Ajo mbetet e pazëvendësueshme.
“Krenaria e veprimtarisë time. Majlinda, të falënderoj përjetë”, ka shkruar Kuka pak kohë pas eliminimit të Majlindës në Tokio 2020.
“Do jesh gjithmonë kampione olimpike, botërore e evropiane. Sot mos u hidhëro, puna e sakrifica, djersa e gjaku që ke derdhur për veten tënde, për mua, familjet tona, popullin shqiptar, të është shpërblyer gjatë karrierës. Mos u hidhëro pasi e arta e Disit është e të gjithë neve dhe e ekipit tonë. Mos u hidhëro sot të lutem, kokën lartë se aq shumë gëzime i ke dhuruar popullit shqiptar. Zoti e ka shpërblyer punën tënde. Lëndimet ishin sfidat që aq shumë të munduan ty fizikisht e mua shpirtërisht. Kokën lartë Majlinda. Krenar me ty deri në frymën time të fundit”, ka shkruar Kuka, kreatori i sukseseve më të mëdha të shtetit të Kosovës.
Majlinda ishte kampione olimpike në Rio 2016, ka dy tituj të botës, shumë të Evropës. Koleksioni i saj i medaljeve është i jashtëzakonshëm.