Tokio 2020

Osmani: Majlinda mbetet përherë kampione e zemrave tona

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për KTV-në ka thënë se Majlinda Kelmendi përherë do të mbetet kampione e zemrave tona.

Osmani ka thënë se Majlinda Kelmendi ka ngritur shtetin e Kosovës si asnjë person tjetër. Kampionja olimpike, Kelmendi, është eliminuar sot në rrethin e parë të garave në “Tokio 2020” në kategorinë deri 52 kilogramë në xhudo nga Reka Pupp e Hungarisë.

“Pavarësisht ajo që ndodhi sot në ndeshjen e Majlindës, dua të them se ajo i ka dhënë Kosovës shkëlqimin e përhershëm. Ajo përherë mbetet kampione e zemrave tona, sepse ngritja që ajo i ka bërë shtetit të Kosovës, nuk ia ka bërë askush në historinë e vet. E falënderoj shumë që ka arritur ta lartësojë shtetin e vet si askush tjetër më parë. E falënderoj që është shndërruar në motiv jetësor për secilin të ri e të re, në veçanti për vajzat në Kosovë”, ka thënë Osmani në intervistë për KTV-në.

Osmani ka thënë se medalja e artë olimpike e fituar të shtunën nga Distria Krasniqi, si dhe e arta që e fitoi Majlinda Kelmendi në “Rio 2016”, kanë bërë që Kosova të shkëlqejë para syve të gjithë botës. E ka quajtur një sukses historik.

“Secili prej tyre ka bërë sakrificë të madhe, trajnime e shumë punë, angazhim e përkushtim përgjatë shumë vjetëve. Prandaj i gjithë ky sukses është meritë e secilit prej tyre. Për Kosovën është vërtetë historike, pasi ata po arrijnë të lartësojnë flamurin e Kosovës, po arrijnë të bëjnë që Kosova të shkëlqejë para syve të gjithë botës. Dua të falënderojë të gjithë përzemërisht për kontributin që po japin për shtetin e tyre. Është kontribut që rrallë kush mund ta japë e t’ia dhurojë vendit të vet”, ka thënë Osmani. “Është vërtetë historike e madhe dhe ajo çfarë ka bërë Distria dje dhe Majlinda para pesë vjetëve në Rio, është kontribut aq i madh për vendin, lartësim aq i madh për flamurin, nderim i jashtëzakonshëm për himnin tonë”.

Ajo ka thënë se Majlinda e Distria me sukseset e arritura kanë bërë që gjithë të rinjtë, e veçanërisht vajzat të kuptojnë se puna e përkushtimi gjithmonë shpërblehet.

Osmani ka thënë se në Japoni është edhe për takime me zyrtarë të lartë për të parë mundësi të afrimit të dy vendeve. Për të sjellë më shumë investime, përfshirë në sport.

“Dje edhe pse Japonia është shteti që e ka zbuluar xhudon, doli që Kosova është më mirë e përgatitur, dhe u tregua se puna e përkushtimi gjithnjë shpërblehen. Shembulli që i ka dhënë Distria tani dhe Majlinda përherë e përgjithmonë, do të thoja të rinjve të rejave të Kosovës, në veçanti vajzave të Kosovës, është motiv i jashtëzakonshëm për tërë jetën, që dëshmon se puna dhe angazhimi gjithnjë shpërblehen dhe nuk duhet dorëzuar para asnjë pengese”, tha Osmani.