Tokio 2020

Çiklistët olimpikë shijojnë “flluskën” natyrore jashtë Tokios

Zëri i indinjuar nga UCI, organi global drejtues për çiklizëm dhe disa dhjetëra çiklistë që do të garonin në ngjarjet e çiklizmit në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”, ishte i lehtë për t'u kuptuar. Propozimi origjinal i paraqitur nga organizatorët përfshinte një pistë prej 100 milionë dollarësh që do të ndërtohej në qytet, afër zemrës së Lojërave Olimpike, duke lejuar sportistët të shijojnë ndjenjën e plotë të Lojërave Verore. Ata do të kishin qenë në gjendje të brohorisnin për shokët e tyre sportistë në ngjarjet e tjera, të hanin në të njëjtat ambiente dhe të rrinin së bashku gjatë garave.

Por, organizatorët së shpejti kuptuan se mund të kursenin miliona nga buxheti, nëse në vend të pistës së re do të përdorej një pistë ekzistuese afër qytetit Izu, rreth 2 orë e gjysmë në jugperëndim të Tokios - në mënyrë efektive duke zhvendosur garat e çiklizmit në periferinë Olimpike. Gjithë kjo ndodhi para mbërritjes së COVID-19. Tani, ajo që dikur shihej si një pengesë për çiklistët që garojnë në Lojërat Verore është bërë një “flluskë” e dobishme. Çiklistët, në thelb janë në karantinë pasi janë vendosur në disa hotele pranë pistës, duke e bërë më të lehtë për ta për të kontrolluar kontaktet e ngushta dhe për të parandaluar përhapjen e virusit.

“Unë mendoj se edhe para pandemisë, të paktën programi ynë ishte shumë i vetëdijshëm se do të ishte ndryshe, sepse ne jemi shumë larg Tokios” tha Jennifer Valente, pjesë e ekipit amerikan. “Ne jemi në thelb në një fshat satelitor që është vetëm me çiklistë”.

Valente kujton ndryshimin midis Tokios dhe Rios, vend ku u mbajtjen Lojërat Olimpike në vitin 2016 dhe ajo e fitoi medaljen e argjendtë. Atje, organizatorët planifikuan të përdorin një pistë që ishte ndërtuar një dekadë më parë për Lojërat Pan-Amerikane. Por, kur UCI e konsideroi të papërshtatshëm për garën olimpike, ai u rrafshua - vendi u përdor për stadiumin olimpik ujor - dhe një pistë prej 50 milionë dollarësh u ndërtua në zemër të parkut kryesor olimpik. Përreth objektit në të tri anët ishin objekti i tenisit, arena e gjimnastikës dhe një vend që përdorej nga xhudo, hendbolli dhe sportet e tjera.

Ndërkohë, pista dhjetëvjeçare në Izu është shumë larg “cirkut” që zakonisht shoqëron Lojërat Verore.

“Kjo pistë është ndryshe dhe dallon prej të tjerëve”, tha Jason Kenny i Britanisë, që ka fituar gjashtë medalje të arta olimpike dhe doli nga pensionimi për të garuar në Tokio. “Ne këto jemi në ‘flluskë’ tonë dhe po ndihemi shumë mirë”.

Nuk janë vetëm çiklistët e pistave që kanë një flluskë të integruar. Edhe disiplina e garave të biçikletës në mal, e cila është zhvendosur në program nga fundjava e fundit, zhvillohet në një shteg pranë pistës në Izu. Kjo do të thotë që garuesit do të qëndrojnë pak a shumë në të njëjtat ambiente me homologët e tyre të pistës. Garat në rrugë për meshkuj dhe femra fillojnë programin e çiklizmit këtë fundjavë. Shumica e atyre çiklistëve qëndrojnë gjithashtu në zona periferike, ku kanë mundësi ta njohin më shumë shtegun. “Unë erdha nga ‘Tour de France’ direkt në hotelin këtu në Gotemba”, tha Michael Woods i Kanadasë për një qytet afër bazës “Mt. Fuji”. “Dhe hoteli është i mbushur ekskluzivisht me çiklistë, në thelb të gjithë janë të garave rrugore. Kështu që, më duket sikur kam shkuar nga ‘Tour de France’, që ishte një ‘flluskë’ çiklizmi, në të njëjtën ‘flluskë’ çiklizmi ”.

Në fakt, çiklistët e vetëm në zemër të të gjithave janë çiklistët e garave me BMX, disiplinë që po bën debutimin në Lojërat Olimpike. Përndryshe, çiklistët do të shijojnë disa izolime olimpike që mund të rezultojnë mjaft të dobishme.

“Mund të them se ne jemi më të mbrojtur prej të gjithë sportistëve të tjerë të Lojërave Olimpike, pasi jemi të vendosur në periferi, dhe atë pranë pistës ku do të synojmë medaljet”, shtoi Valente. “Është një izolim paska më ndryshe, do të thosha një izolim natyror”.