Matea Deliu vetëm një herë ka vizituar Kosovën. Por, në të ardhmen ajo do ta vizitojë më shpesh vendin e prejardhjes. Ka arsye të fortë për këtë.
Ajo ka vendosur ta përfaqësojë Kosovën në garat e çiklizmit. Mision e ka edhe t’i shtyjë vajzat të merren sa më shumë me sportin e çiklizmit.
Matea është kampione e Kroacisë në çiklizëm. Tani do të garojë për Kosovën në gara ndërkombëtare, kurse planifikon paraqitjen edhe në gara të mëdha vendore.
Medaljen e artë në kampionatin e Kroacisë, ajo e fitoi në qershor të vitit të kaluar. Shtegun prej 66 kilometra e përfundoi për 6 minuta e 17 sekonda para Mia Radotiqit.
Vetëm tri çikliste kishin përfunduar garën.
“Jam shumë e lumtur që do ta përfaqësoj Kosovën në garat ndërkombëtare. Kam në plan të jap maksimumin në këto gara të cilat shpresoj se do të çojnë në një medalje”, ka thënë Matea Deliu për KOHËN të dielën.
Ajo dëshiron që të jetë frymëzim për të rejat të merren me çiklizëm.
“Unë jam shumë e pasionuar pas promovimit të çiklizmit dhe sportit të grave në përgjithësi dhe do ta përdor këtë platformë për të inkurajuar më shumë gra në Kosovë të marrin pjesë në çiklizëm”, është shprehur tutje Deliu.
Thotë se Kosova është në pozitë për t’u marrë shembull nga vendet e Ballkanit.
“Mendoj se Kosova është e pozicionuar mirë për t’u bërë shembull në zonën e Ballkanit pasi vendet e tjera të afërta janë më pak të dukshme në sportin e femrave”, thotë ajo.
Matea 35-vjeçare, u lind në Sarajevë. Familja e saj fillimisht u shpërngul në Kanada, ku Matea ka përfunduar kolegjin. Ndërkohë, me familje u kthye në Zagreb dhe u regjistrua në Fakultetin e Mjekësisë. Pasi përfundoi studimet shkoi në Londër, ku edhe punon aktualisht.
Me çiklizëm ka nisur të merret gjashtë vjet më parë. Këtë sport e kishte për rekreacion.
“Ajo është marrë edhe me skijim, snowboard, basketboll, futboll. Para gjashtë vjetësh ka nisur të merret me çiklizëm. Në tri vitet e fundit në çdo garë ku ka shkuar ka fituar. Në maratonën e vitit 2021 në Slloveni në shtegun 162 kilometra, Matea zuri vendin e parë”, thotë babai i çiklistes, Enveri.
Edhe babsi i Mateas është mjek, ashtu si edhe nëna e saj, shtetase kroate.
“Ajo ka dëshirë ta prezantoj Kosovën edhe në Lojërat Olimpike në Paris. Sigurisht ka dëshirë të shkoj për rezultat. Por, fillimisht i duhet ta tregoj veten në garën që do të mbahet në fund të muajit qershor në Kosovë. Dëshira jonë ka qenë që ajo të jetë e Kosovës dhe nuk ka nevojë të na financojë askush”, është shprehur ai.
Në Federatën e Çiklizmit të Kosovës i janë gëzuar afrimit të çiklistes Deliu. Pritjet janë të mëdha nga kryetari i FÇK-së, Avni Nuha.
“Mosha e saj 35-vjeçare është vetëm fillim i karrierës, pasi në çiklizëm mund të garosh deri në moshën 45-vjeçare. Pretendimet janë që me femra të jemi në Paris. Nëse jo me rezultate, presim të shkojmë me ftesë”, ka thënë Nuha.
Ditë më parë, Sophie Sorschag, vendosi ta linte Austrinë dhe ta përfaqësojë Kosovën në garat e kërcimeve me ski.