Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Zeneli: Mbi 300 portale s’janë të regjistruara në KMSHK

Alban Zeneli, ligjërues në departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, ka thënë se mbi 300 medie nuk janë të regjistruara në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK).

“Në një studim që e kam bërë para dy vitesh, në Agjencinë Kosovare për Regjistrim të Bizneseve, bizneset e regjistruara si me aktivitet kryesor uebportalet, janë mbi 400 portale, ndërkohë që tek KMSHK-ja numri i anëtarëve besoj që duhet të jetë tek 50”, ka thënë Zeneli në “Tempus” të KTV-së.

Ai shtoi që rreth 350 medie nuk janë të regjistruara dhe shumica prej tyre janë aktive.

“Por, ka edhe një çështje që duhet këtu me u trajtu. Çështja që duhet të trajtohet në këtë rast është se disa prej atyre mediumeve që janë të regjistruara si uebportale sepse Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka bërë specifikime nëse është media apo thjesht uebportal, ai numër përfaqëson edhe kompani të PR, të cilat qëllimin kryesor e kanë po e zëmë të promovojnë një këngëtar, apo diçka tjetër”, ka shtuar Zeneli.

Në fund, Zeneli u shpreh se shumica e mediave që kanë reputacion në Kosovë, të cilat publiku i njeh dhe i din kush janë, janë anëtare.