Bind Skeja, përfaqësues i nismës për Projektligjin për parandalim të vetëvrasjes, tha se peticioni për parandalimin e vetëvrasjeve ka ardhur si shkak i mosvullnetit politik.
Në emisionin “Tempus” në KTV, Skeja tha se fillimisht kishin kontaktuar Institutin e Kosovës për Drejtësi për të marrë mbështetje për hartimin e peticionit.
Ai tha se nisma është kryer në bashkëpunim me shumë organizata.
“Sa i përket institucioneve, fakti që e kemi nis këtë peticion është se ka mungu bashkëpunimi. Të kishim pas bashkëpunim prej fillimit me institucionet nuk kish pas Qeveria ose Kuvendi nevojë që me u dërgu aty peticion që me u hartu ky ligj”, tha Skeja.
Sipas tij, të paktën kanë mundur të krjojnë Strategjinë për parandalimin e vetëvrasjes dhe t’i informonin nëse do kishte nevojë për ligjj. /BetimipërDrejtësi
Jakaj: Pasi IKD ‘kërcënoi’ me padi, institucionet shpallën konkursin për përfaqësuesin e sindikatave në Fondin Pensional
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV tha se pasi IKD-ja kishte paralajmëruar padi, Komisioni për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (BFKPK), ka shpallur konkursin për dy anëtarë në këtë bord, respektivisht për anëtarin që do t’i përfaqësojë punëtorët e Kosovës.
Jakaj tha se presin prej Minsitrisë së Financave Punës dhe Transfereve që të shpall konkursin për funksionalizimin e Këshillit Ekonomik Social.
“Vetëm pas reagimit tonë si IKD, Bordi, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, ministri i Financave dhe Zyra e Auditorit të Kosovës, e shpallën konkursin për përfaqësimin e sindikatave në Bordin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, por ai konkurs u shpall vetëm pas po them në thonjëza “kërcënimit” të IKD -së për padi për mosveprim të institucioneve, a duhet tash ta lëshojmë një komunikatë nesër që nuk ka Këshill Ekonomik- Social Funksional, që nuk janë të përfaqësuara sindikatat dhe odat ekonomike, që nuk ka dialog social fare dhe të themi nesër që do t’ju padisim, shpallni konkursi”, tha Jakaj.
Sipas tij, kështu detyrohen të veprojnë ngase nuk ka veprim nga institucionet. /BetimipërDrejtësi
Uka: Parimet e demokracisë në sport janë parë të largëta, ligji i ri do sjell reforma
Bardha Uka, drejtoreshë e organizatës Dem Sport, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se parimet e demokracisë në sport janë parë të largëta, por se Ligji i ri pritet të sjellë reforma.
“Parimet e demokracisë në sektor të sportit janë parë si shumë të largëta, nuk është diçka të cilët na kanë taku neve, të paktën kështu ka qenë përshtypja dhe praktika që ka ekzistu”, tha ajo.
Sipas saj, flitet për sukseset dhe arritjet ndërkombëtare, por jo edhe për problemet.
“Flasim për sukseset, për arritje ndërkombëtare, por shumë pak kemi pasur interesim për me i pa zhvillimet çka janë brenda, çka janë problemet, sfidat dhe sa mundemi ndoshta si qytetarë, qoftë si anëtarë të shoqërisë civile me kontribu dhe me qenë pjesë të procesit brenda sektorit të sportit. Në bashkëpunim me Instituti Demokratik Ndërkombëtar, organizata jonë “Dem Sport” kemi bërë një panel diskutimi, ku për herë të parë kemi tentu me i ndërlidhë parimet e demokracisë me sportin, si i ndihmon ajo në avancimin e sportit dhe në të njëjtë kohë si mundet sporti me kontribu në avancimin e demokracisë së një vendi”, tha Uka.
E njëjta tha se duhet një angazhim i gjithë qytetarëve për të zhvilluar sektorin e sportit.
“Nuk duhet të krenohemi vetëm kur arrijmë me marrë medalje nga sporti i xhudos, por me të vërtetë hajde ta analizojmë si mundemi me u përfshi si qytetarë sepse zhvillimet që bëhen brenda sektorit të sportit në fund të ditës i ndikojnë të gjithë qytetarëve. Sporti ka ndikim në zhvillimin ekonomik, sporti ka ndikim në zhvillimin e shëndetit”, shtoi Uka.
Sipas saj, përmes diskutimeve kanë arritur që të sjellin në vëmendje sektorin e sportit.
“Pavarësisht se ka qenë një diskutim i shkurtë, të paktën kemi pru diskutimin e sportit, demokracisë brenda institucionit të Kuvendit të Kosovës, është shumë me rëndësi me pas vëmendje nga politikbërësit se çka po ndodh brenda sektorit të sportit. Nuk duhet me qenë vetëm interes i komisionit që ka lidhje me sportin që janë të përfshirë në drafitimin e ligjeve të reja”, tha Uka.
Uka shtoi se Projektiligji i ri i Sportit do të sjellë ndryshim afatgjatë.
“Me Ligjin e ri, sado që ka me marrë një kohë derisa të marrë formë dhe të jetë në praktikë nëpër federata dhe klube, është shumë i rëndësishëm dhe besoj se ka me pas ndryshim afatgjatë”, tha ajo.
Skeja: Asnjë parti s’e ka trajtuar me seriozitet parandalimin e vetëvrasjeve
Bind Skeja, përfaqësues i nismës për Projektligjin për parandalim të vetëvrasjes, tha se asnjë parti politike nuk e ka trajtuar me seriozitet çështjen e parandalimit të vetëvrasjeve.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Skeja tha se asnjë parti në platformën e tyre nuk e ka parandalimin e vetëvrasjeve.
Ai tha se nga viti 2016 kanë tentuar të krijojnë dialog me Ministrinë e Shëndetësisë, që shteti të krijojë strategji për parandalim të vetëvrasjes.
Skeja tha se situata ka filluar të përkeqësohet pas pandemisë.
Sipas tij, përmes doracakut për nismat legjislative, të cilin e ka hartuar Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), u është dhënë mundësia për peticion si një mënyrë për ta shtyrë përpara një iniciativë, e cila është harruar nga politikanet.
“Asnjë parti nuk e ka në platformën e tyre parandalimin e vetëvrasjes, edhe përgjatë kohës që jemi marrë me këto Ministri, asnjë nuk është interesuar që të trajtojë këtë çështje me seriozitet. Edhe duke e parë këtë bllokadë në mënyrë të vazhdueshme, na u ka shfaqë mundësia për peticion nëpërmjet doracakut që e ka hartuar IKD-ja, si një mënyrë shumë e mirë për me shty përpara një iniciativë, e cila është harruar nga politikëbërësit”, tha Skeja.
Ai tha se ka edhe familjarë, të cilët kanë familjarë të tyre që janë viktima të vetëvrasjes, e të cilët janë lënë anash nga shteti.
Hartimi i ligjit që rregullon shërbimet për këta persona, asistencën sociale, e të tjera, Skeja tha se i ka shtyrë për të bërë peticionin. /BetimipërDrejtësi
Jakaj: Demokracia nuk është në nivelin e duhur
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se demokracia në Kosovë nuk është në nivelin e duhur.
“Ka pasur cenim të aktivitetit sindikal siç e përmendi Blendori, cenim të dialogut social tek nivelet veçanërisht tek greva e zhvilluar në vitin 2022, ku ka pasur presion të madh, kisha me thanë përfshirë edhe Inspektoratin e Punës, përfshirë edhe çështjet që lidhen me Policinë edhe me Prokurorinë, e në anën tjetër pastaj tri-katër aktivitete tjera që kanë cenuar demokracinë lidhen me lirinë e medias”, deklaroi Jakaj në “Tempus”.
Gjithashtu, Jakaj përmendi edhe tendenca sipas tij të mbylljes së televizionit “Klan Kosova” nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.
“Pra, aktiviteti që ka cenuar çështjen lidhur me televizionin Klan Kosova, me mbylljen nga ana e Minsitrisë së Tregtisë dhe Industrisë, tjetri rast me cenimin e organit të pavarur mbikëqyrës kushtetues si Komisioni i Pavarur i Mediave që u thirr në raportim dhe deputetë nëse vërehet edhe aty sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për një rast tjetër se si lejohet të mbikëqyret një organ i pavarur, e sheh ku ata i cenojnë, i tejkalojnë autorizimet, thërrasin në përgjithësi për mënyrë dhe për formën se si ka marrë vendim një komision i pavarur që nuk do duhej ta bënte një deputet i Kuvendit të caktuar”, shtoi Jakaj.
Tutje, hulumtues i IKD-së tha se partia në pushtet bëri presion edhe ndaj Televizionit Publik.
“Në anën tjetër pastaj patëm probleme që u lidhën me funksionimin e Radio Televizionit Publik, çfarë presioni pati, tashmë kemi edhe drejtor të dorëhequr, pastaj dhanë dorëheqje edhe disa anëtarë të bordit për shkak të presionit të partisë e cila është në pushtet dhe njerëzve të saj që dirigjojnë prej zyrave partiake”, tha Jakaj.
Sipas tij, këto i tregojnë edhe raportet ndërkombëtare.
“Kemi thanë dhe po e ritheksojmë se niveli i demokracisë për të cilin ka aspirata Republika e Kosovës nuk është në nivelin e duhur përkundrejt, siç është vërtetuar edhe me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, ka cenim të rëndë të vlerave te neni 7 i Kushtetutës dhe te nenet tjera që kapin institucionet e pavarura, ndarjen e pushteteve dhe çështjet që lidhen me demokracinë dhe me të drejtat e njeriut”, tha Jakaj./BetimipërDrejtësi
Shatri: Nuk shohim funksionim të rregullt të elementeve demokratike në Kosovë, përfshirë edhe dialogun social
Blendor Shatri, përfaqësues i nismës për Projektligjin për Skemat Pensionale, tha se nuk shohin funksionim të rregullt të të gjitha elementeve demokratike në Kosovë, përfshirë këtu edhe dialogun social.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Shatri tha kanë hasur në vështirësi të mëdha që qoftë edhe përmes dialogut t’i arrijnë qëllimet që i kanë pasur si përfaqësues të të punësuarve në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK).
“Mendoj që do duhej të ishte në një nivel më të mirë e më të lartë, mirëpo kemi hasur në probleme të vazhdueshme dhe do duhej të ishte shumë më e lehtë që ne si Sindikatë t’i adresojmë të gjitha çështjet. Mirëpo, nuk shohim një funksionim të rregullt të të gjitha elementeve demokratike në këtë vend, duke përfshirë edhe dialogun”, tha Shatri./BetimipërDrejtësi