I është dhënë shtysë një nisme që synon disiplinimin e politikanëve. IKD-ja ka filluar të mbledhë nënshkrime për t’i kërkuar Kuvendit ndryshimin e Kodit Penal, me qëllim që të listohen si vepra penale, moszbatimi i vendimeve të Kushtetueses apo përdorimi i burimeve publike për të përfituar vota
Instituti i Kosovës për Drejtësi ka ndërmarrë nismën që t’i bëjë vepra penale moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përdorimin e resurseve publike për qëllime elektorale.
Për ta jetësuar këtë, Instituti ka nisur në Prishtinë mbledhjen e nënshkrimeve të nevojshme nga qytetarët, për ta çuar në Kuvend çështjen e përfshirjes së të dyja veprave në Kodin Penal.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Gëzim Shala, ka arsyetuar nevojën për këtë ndryshim.
“Aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për të gjitha institucionet, gjithë zyrtarët publikë, janë ekuivalente me norma kushtetuese, ato nuk gëzojnë mbrojtje penale. Për këtë arsye kjo nismë synon që ta kriminalizojë moszbatimin e qëllimshëm të aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Shala.
Ai ka treguar edhe çka synohet me veprën e dytë penale të propozuar.
Edhe
IKD-ja nis mbledhjen nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal
“Nuk synohet që të ndalohet përdorimi i parasë publike në të mirë publike, por ne kërkojmë që burimet publike mos të përdoren për qëllime elektorale, në atë mënyrë që të krijohet një garë e pabarabartë mes partive politike”, ka thënë ai.
Për procedimin e kësaj nisme në Kuvend nevojiten së paku 10 mijë nënshkrime nga qytetarët.
Hulumtuesi i lartë i IKD-së, Naim Jakaj, ka theksuar se qytetarët duhet ta mbështesin këtë nismë, pasi synon forcimin e llogaridhënies dhe rritjen e besimit në institucionet e Kosovës.
“Nuk mundet që Qeveria gjatë kohës kur zhvillohet fushata zgjedhore, të ndajë mjete për kategori të caktuara. Kjo do të duhej të bëhej në mënyrë të parashikueshme, p.sh të thonë që bëhet në janar-shkurt, por jo në mënyrë të paparashikueshme. Me e ditë një student pensionist, kur dalin mjetet në xhirollogari”, është shprehur Jakaj.
Ndërkaq, një numër qytetarësh kanë vlerësuar se iniciativa do të ndikojë në mbrojtjen e interesit publik dhe në respektimin e rendit kushtetues.
“Iniciativa është e mirë, sepse paraja publike është publike dhe nuk duhet të marrë kahe tjetër përveç interesit të përgjithshëm. Çdo iniciativë që ka një të mirë të përbashkët duhet të ketë sa më shumë njerëz, sepse zëri i qytetarit është vendimtar”, ka thënë Shaqir Foniqi.
Nismën e ka përkrahur edhe qytetari tjetër, Agim Krasniqi.
“Kushtetuesja është boshti kurrizor i një shteti, moszbatimi i vendimeve të saj çon në anarki. Një rast i paprecedent që mund të ndodhë e shkatërron krejt sistemin juridik, prandaj një iniciativë e tillë duhet mbështetur”, ka thënë Krasniqi.
Edhe
Marmullakaj: Përdorimi i parasë publike për përfitime zgjedhore të bëhet vepër penale
Mbledhja e nënshkrimeve do të vazhdojë edhe të premten në Prishtinë. Përfaqësues të IKD-së kanë thënë se në ditët në vijim nisma ligjore do të dërgohet edhe në 14 qytete të tjera. E, dita e fundit për mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve është 28 tetori.
Egzona Mema