Qemajl Marmullakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi ka dhënë detaje nga peticioni i nisur sot prej kësaj organizate me qëllim të plotësim-ndryshimit të Kodit Penal.
Në emisionin “60 Minuta” në KTV, Marmullakaj ka thënë se qëllimi i ndryshimeve është që moszbatimi i qëllimshëm i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe përdorimi i parasë publike gjatë periudhave zgjedhore me qëllim të përfitimeve zgjedhore, të bëhen vepra penale.
Ai ka marrë shembull në moszbatimin e vendimeve të Kushtetueses rastin kur Qeveria në Ligjin e Buxhetit nuk e ka përfshirë njohjen e përvojës së punës së zyrtarëve publikë, edhe pse për të paraprakisht ka pasur vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Tek ka folur për përdorimin e parasë publike për qëllime zgjedhore gjatë fushatave zgjedhore, Marmullakaj ka përmendur ndarjen e mjeteve për kategori të ndryshme, por edhe përdorimin e automjeteve zyrtare për tubime elektorale.
“Çështja e përdorimit të parasë publike – në vendime si në dhjetor para zgjedhjeve 2025 apo maj 2026 para zgjedhjeve të qershorit kur janë ndarë mjete nga buxheti i vendit dhe është përdorur paraja publike për kategori të ndryshme dhe vlerësojmë se ka tjetërsuar vullnetin e qytetarëve, atëherë këto janë elementë kryesorë që përmes kësaj iniciative dëshirojmë t’i adresojmë dhe forma më e mirë që kemi vlerësuar është plotësim-ndryshimi i Kodit penal që kjo vepër të bëhet vepër penale”, ka thënë ai.
Edhe
IKD-ja nis mbledhjen nënshkrimeve për ndryshimin e Kodit Penal
Marmullakaj ka thënë se IKD-ja s’është kundër ndarjes së mjeteve për qytetarët, por kërkon zbatimin e Ligjit për Qeverinë dhe Ligjit për Zgjedhjet.
“Këto veprime duhet të jenë të rregulluara në ligj. Të jenë të parashikueshme dhe të mos ndikojnë në vullnetin e qytetarëve për zgjedhje”, ka thënë ai. “Ligji për zgjedhjet dhe ai për Qeverinë specifikojnë se çka mund të bëjë një qeveri kur është në detyrë – është e limituar në zbatimin e veprimeve të domosdoshme dhe të planifikuara e Ligji i Zgjedhjeve thotë se nuk mund të përdoren mjete publike gjatë periudhës zgjedhore, burime e zyrtarë për qëllime të fushatës”.
Sipas tij, keqpërdorimi i parasë publike është evidentuar edhe nga ana e vëzhguesve të Bashkimit Evropian.
Marmullakaj ka thënë se një ndryshim i tillë në Kod Penal do të shërbente edhe në aspektin parandalues. “Kur bartësit e institucioneve e dinë se një vepër e tillë konsumon vepër penale, respektimi i aktgjykimeve do të jetë më i mirë. Ngjashëm edhe me keqpërdorimin e parasë publike”, ka thënë ai.
Edhe
Byroja për konfiskimin e pasurisë, IKD-ja kërkon ndryshime para miratimit të ligjit
Sipas tij, një ndryshim i tillë do të ofronte siguri më të madhe juridike e institucionet do t’i bënte më demokratike.
Që një peticion të deponohet në Kuvend duhet t’i mbledhë minimumi 10 mijë nënshkrime të qytetarëve. Ato duhet të verifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e pastaj të kthehet në Kuvend për të kaluar në procedura të votimit.