Gjyqësorit në Kosovë shumë shpejt pritet t’i bashkohen edhe 49 gjyqtarë të rinj, të cilët kanë kaluar me sukses të gjitha fazat e rekrutimit, në një proces që cilësohet më transparent se paraprakët.
Me qëllim të rritjes së performancës në gjykata, Këshilli Gjyqësor më 1 nëntor 2021 ka nxjerrë Rregulloren për rekrutimin, provimin, emërimin dhe riemërimin e gjyqtarëve, rregullore kjo që i parapriu shpalljes së konkursit për 54 pozita për gjyqtarë të Gjykatave Themelore.
Në konkursin për 54 pozitat për gjyqtarë të rinj, testit kualifikues i janë nënshtruar 494 kandidatë. Prej tyre testin e kanë kaluar 163 kandidatë. Testi ka përmbajtur 100 pyetje dhe ka zgjatur dy orë, ndërsa i gjithë procesi i organizimit ka zgjatur mbi 17 orë, kurse testi me shkrim nga lëmia penale dhe ajo civile ka zgjatur pesë orë.
Pas testit me shkrim nga 163 kandidatë për gjyqtarë, 75 kandidatë e kanë kaluar testin me shkrim nga lëmia penale dhe civile, ndërsa kësaj liste i janë shtuar edhe pesë kandidatë të tjerë në mesin e tyre edhe kandidatë, të cilët e kishin të përfunduar provimin dhe trajnimin fillestar mbi arsimimin ligjor. Intervistat me gojë të 80 kandidatëve kanë filluar me 9 mars dhe kanë përfunduar me 8 prill 2022, duke mos përfshirë ditët e vikendeve dhe ditët kur KGJK-ja ka pasur angazhime të tjera, i bie që në një afat rreth 25 ditësh KGJK-ja ka arritur të përfundojë edhe intervistat e 80 kandidatëve. Kjo fazë e intervistimit është regjistruar nga Këshilli përmes kamerave.
Më 8 prill, KGJK-ja ka publikuar edhe listën preliminare të 49 kandidatëve që kanë kaluar provimin për gjyqtarë.
Edhe
Zgjidhen dy anëtarë të KGJK-së nga radhët e gjykatave themelore
Pjesë e Komisionit për Rekrutim të Gjyqtarëve në Gjykatat Themelore të Republikës së Kosovës, ka qenë vetë kryesuesi Zogaj, njëherësh edhe kryetar i komisionit, ndërsa si anëtarë në këtë komision kanë shërbyer gjyqtarët Fidan Hoxha, Enver Peci, Avni Mehmeti, Snezana Mihajlovic, kurse si anëtarë rezervë gjyqtaret Kadrije Goga-Lubishtani dhe Arjeta Sadiku.
Procesi i njëjtë për rekrutim të gjykatësve të rinj, që ishte shpallur në fund të vitit 2018 nga KGJK, kishte përfunduar pas më shumë se dy vitesh, ndërsa konkursi aktual është përfunduar brenda 5 muajve. Anëtari i Komisionit për Rekrutimin e Gjykatësve, gjykatësi Avni Mehmeti, thotë se Këshilli Gjyqësor ka pasur vullnet që ta ndërtojë një standard të ri të rekrutimit të gjykatësve.