TEMPUS

Shala: Paradoksalisht, sot për krime lufte kemi më shumë të dënuar shqiptarë sesa serbë

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Gzim Shala, të hënën në emisionin “Tempus” në KTV, tha se është paradoksale se si sot kemi më shumë shqiptarë të dënuar sesa serbë për krime lufte.

“Janë një numër i konsiderueshëm i masakrave në Kosovë, të cilat nuk kanë marrë përgjigje nga ana e institucioneve të drejtësisë qoftë atyre vendore, qoftë atyre ndërkombëtare. Masakra në Burgun e Dubravës, masakra ndaj familjes Jashari, e Krushës, e Rezallës, e Studimes, e tjerë, që të gjitha këto krime makabre që ndoshta e kanë tronditur edhe botën, nuk kanë arritur të marrin një përgjigje nga ana e sistemit të drejtësisë”, tha Shala.

Ai tha se në trajtimin e këtyre rasteve fillimisht ka dështuar UNMIK-u, pastaj EULEX-i dhe vendorët.

“Paradoksi që ka lind nga mënyra paradoksale e trajtimit të këtyre rasteve të krimeve të luftës, ka sjellë deri te ajo që sot kemi shumë më shumë persona të dënuar e të akuzuar të nacionalitetit shqiptar sesa të nacionalitetit serb, përkundër faktit që është botërisht e ditur sa është numri i viktimave shqiptare e sa i viktimave serbe”, shtoi Shala.