Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Të dhëna të pasakta për disa masakra paraqiten në ekspozitën në sheshin e Prishtinës

sheshi

Foto: Driton Paçarada

Të dhëna të pasakta janë shfaqur në tabelat kushtuar masakrave të ndodhura gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-1999, në ekspozitën “Masakrat në Kosovë 1998-1999” të hapur më 24 mars në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ekspozita është bazuar në librin me të njëjtin titull, të autorit Shkëlzen Gashi. Ajo është mbështetur financiarisht edhe nga Kuvendi i Kosovës, sipas organizatave “Admovere” dhe Integra”. Ekspozita shfaq 49 masakra, e sipas njoftimit zyrtar, aty përfshihen vetëm masakrat për të cilat ka pasur fotografi dhe citate të dëshmitarëve. Ato janë renditur kronologjikisht, duke filluar nga masakra në Likoshan e Qirez e 28 shkurtit 1998, deri te masakra në familjen Bala më 12 qershor 1999.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në mesin e 49 masakrave është edhe ajo e në Burgun e Dubravës. Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli, njëherësh i mbijetuar i masakrës, ka alarmuar se të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta, duke nisur nga numri i viktimave deri te cilësimi si “persona të armatosur shqiptarë” në mesin e të vrarëve në burg më 1999.

“Të dhënat e paraqitura për këtë masakër janë krejtësisht të pasakta. Përveç numrit të viktimave, i cili nuk korrespondon me të vërtetën (ku figurojnë 106 të vrarë, ndërsa deri më tani janë të konfirmuar 116 të masakruar dhe 1 i zhdukur) aty paraqitet edhe një pasaktësi tjetër e madhe dhe e dëmshme. Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë, është plotësisht i pavërtetë. Në atë masakër gjenocidale nuk ka pasur asnjë shqiptar të vrarë në cilësinë e personit të armatosur. Të gjithë kemi qenë duarthatë dhe të pambrojtur”, ka shkruar Dugolli në Facebook të premten.

Dugolli u ka bërë thirrje organizatorëve të ekspozitës që ta tërheqin materialin dhe ta korrigjojnë. Po ashtu ka ftuar Prokurorinë, përkatësisht Departamentin për krime lufte, që të përfshihet në këtë çështje dhe ta hetojë.

“Një material i tillë, në formën aktuale, nuk i shërben të vërtetës; përkundrazi, mund të përdoret për të përforcuar narrativën e rreme të Serbisë për gjoja rebelimin e të burgosurve shqiptarë gjatë kohës kur është kryer kjo masakër”.

Po ashtu, aty përmendet numri 40 për civilë të vrarë në Prekaz në periudhën 5-7 mars 1998, ndërsa zyrtarisht nga Instituti i Krimeve të Kryera gjatë luftës në Kosovë vazhdimisht kujtohen 59 jetë të shuara gjatë këtyre sulmeve. Për Masakrën e Reçakut, që ia shfaqi botës krimet e kryera nga forcat serbe, thuhet se janë 37 civilë të vrarë. Por ky Institut ka thënë se janë të paktën 45 civilë të vrarë.

E i mbijetuari i Masakrës së Belegut, Endrit Binakaj, ka reaguar për mospërfshirjen e kësaj masakre në ekspozitë. Ai ka thënë se mungesa e saj “është padrejtësi e thellë morale ndaj viktimave dhe familjeve të tyre”.

“Nuk bëhet fjalë për një detaj të parëndësishëm apo për një rast periferik, bëhet fjalë për një nga krimet më të rënda të kryera në Komunën e Deçanit gjatë luftës.Si mund të pretendohet një pasqyrim kronologjik i masakrave, kur një ngjarje e tillë mungon krejtësisht? Si mund të ndihen familjarët e viktimave, kur e shohin se dhimbja dhe sakrifica e tyre nuk ekziston askund në këtë hartë kujtese? Edhe më shqetësuese është fakti që kjo ekspozitë mbështetet në librin “Masakrat në Kosovë 1998–1999”. Nëse një vepër që synon të dokumentojë krimet e asaj periudhe nuk përfshin Masakrën e Belegut, atëherë kemi të bëjmë me një qasje selektive dhe të papranueshme ndaj historisë. Kujtesa kolektive nuk mund të ndërtohet mbi përzgjedhje të pjesshme”, ka shkruar ai në Facebook.

Në parathënien e librit, autori Gashi ka shkruar se për të përpiluar tekstet ka marrë për bazë raportet e organizatave prestigjioze për të drejtat e njeriut, si Amnesty International (AI), Humanitarian Law Center (HLC), Human Rights Watch (HRW), International Crisis Group (ICH), Orgnization for Security and Cooperation in Europe (OSCE), e më rrallë edhe ndonjë tjetër.

Kjo ekspozitë është realizuar në mes tjerash edhe me mbështetje financiare nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. 

Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka vizituar këtë ekspozitë më 24 mars. Sipas komunikatës nga Kuvendi, ajo ishte shprehur se “nuk është e lehtë të ecësh mes këtyre dëshmive, por është e domosdoshme për të kuptuar thellësinë e dhimbjes dhe padrejtësitë e përjetuara”. “Çdo panel rrëfen një krim të rëndë ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë, krime të kryera nga forcat serbe, dhe sjell para nesh një të vërtetë që nuk mund të fshihet apo të mohohet. Republika e Kosovës nuk do t’i harrojë kurrë krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin e kryer në Kosovë. Lavdi të rënëve për liri!”, pati thënë ajo.

Tek pas publikimit të reagimeve, në mbrëmjen e së premtes, organizata “ADMOVERE” ka dalë me një njoftim në rrjete sociale.

Organizata ka thënë se për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra është mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr prej Natasha Kandiq. Në libër, sipas organizatës, është përmendur se në këtë listë figurojnë të regjistruar si perona të armatosur edhe individë që në momentin e vrasjes ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar.

“Nga gjithsej 105 masakra të evidentuara deri më tani, në këtë ekspozitë janë përfshirë 49 masakra për të cilat kemi siguruar fotografi dhe citate të dëshmitarëve. Të 105 masakrat janë të përfshira në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999” dhe do të përfshihen edhe në uebfaqen “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, që do të lansohet së shpejti. Ekspozita bazohet në plotni në librin “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, të botuar në vitin 2024 nga ADMOVERE dhe INTEGRA. Për përpilimin e listës së të vrarëve nëpër masakra, jemi mbështetur në listën e të vrarëve nga “Libër Kujtimi i Kosovës” i Humanitarian Law Center (HLC), organizatë e udhëhequr nga Nataša Kandić. Në libër e kemi sqaruar se në këtë listë të të vrarëve të HLC-së, për disa masakra individë të vrarë figurojnë të regjistruar si persona të armatosur, megjithëse në momentin e vrasjes ata ishin civilë të paarmatosur dhe nuk kishin rezistuar”, thuhet në reagim.

Madje në këtë njoftim të organizatës thuhet se kjo listë “mbetet edhe sot burimi i vetëm dhe më i besueshëm për dokumentimin e të vrarëve, duke qenë se institucionet e Kosovës ende nuk kanë hartuar një listë zyrtare të të vrarëve”.

Organizatat “Admovere” dhe “Integra” në fund kanë bërë thirrje që institucionet të hartojnë më shpejt një listë të të vrarëve “në mënyrë që të shmangen keqkuptimet eventuale”.

KOHA i ka dërguar pyetje edhe Kuvendit.

LEXO EDHE: