Saranda Ramaj, gazetare në Grupin KOHA, ka thënë se aktakuza në rastin “Stenta” është dashur të jetë më e reduktuar dhe se Prokuroria ka dashur të bëjë spektakël me të.
“Unë mendoj se hetimi nuk është kryer ashtu si duhet. Për shembull ka qenë një fletore, një prej provave kryesore, që e ka konsideruar Prokuroria Speciale, pastaj zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, si është bërë kalimi pas ndërrimit të menaxhmentit. Në atë fletore kanë qenë me dorëshkrim emrat e doktorëve dhe shuma e parave. Ndonjëherë disa prova edhe neve në gazetari edhe në hetuesi na duken si të mjaftueshme, por janë rrethanore. Nëse ti nuk e dëshmon me veprimin konkret se filan mjeku e ka sjell këtë pacient dhe pastaj e ka marrë pagesën, ndonjëherë ato provat rrethanore janë me argëtu dikë, publikun. Dikë, se ‘këta i kanë marrë kaq’, por në gjykatë ato vështirë se kalojnë. Dhe problemi i kësaj aktakuze është se në shumë rrafshe ka shumë elemente, por në tërësi nuk duket shumë e fortë”, tha Ramaj.
Sipas saj, Prokuroria ka tentuar ta bëjë aferën më të madhe ndonjëherë.
“Unë mendoj që aktakuza është dashtë të jetë më e reduktuar, sepse ka vërtet mjekë që kanë keqpërdorë së paku duke e bojkotuar punën në sistemin publik. Por për shkak se ata kanë dashur, si zakonisht, Prokuroria e Shtetit të bëjë spektakël dhe t’u dashtë të bëjë spektakël shumë më shumë sesa është, iu dështon e gjitha”, ka thënë tutje Ramaj në “Tempus”.
Për shkak të numrit të madh të të akuzuarve në shkurt të vitit 2018 rasti ‘Stenta’ u nda në tri pjesë, të akuzuarit ish-ministri Ferid Agani dhe ish-sekretari Gani Shabani u gjykuan veçmas në rastin ‘Stenta 1’, mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si ‘Stenta 2’, ndërsa pronarët dhe mjekë të spitaleve private janë pjesë e rastit ‘Stenta 3’.
Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër Ferid Aganit, Gani Shabanit dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangie nga tatimi”. Të dy u shpallën të pafajshëm në gusht sivjet.
Ramaj: Mjekët që ankoheshin se s’dinë të bëjnë stentime në publik, në privat veçse i bënin
Gazetarja Saranda Ramaj po ashtu ka thënë se një pjesë e doktorëve aso kohe ankoheshin se nuk dinë të bëjnë stentime, mirëpo të njëjtit mjekë në spitalin privat i kanë kryer këto intervenime.
“Një pjesë e doktorëve kanë kryer stentime. Asokohe ankoheshin, edhe ish-ministri Agani mundet ta mohojë sot, mirëpo ata ankoheshin edhe në Ministri të Shëndetësisë, ‘ne nuk duam të bëjmë, ne nuk dimë të bëjmë’, lloj-lloj arsyetimesh, por kanë qenë mjekët e njëjtë që në spitalin privat i kanë kryer këto intervenime”, ka thënë Ramaj.
Ajo ka deklaruar se në vitin 2004 ose 2005, Qeveria e Kosovës ka paguar për trajnime të mjekëve për të kryer stentime.
Sipas saj, po të ishte situata dhe menaxhimi i mirë, pastaj ata mjekë do të duhej që t’ua përcjellshin njohuritë e fituara kolegëve “sepse shteti i Kosovës nuk ka mundësi ta dërgojë komplet klinikën në trajnim”.