LAJMET E MBRËMJES

Dështimi i 15-të për zhbllokim të Kuvendit

Partitë politike nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre e kësisoj situata në Kuvendin e Kosovës ishte e njëjtë edhe të martën. Në përpjekjen e 15-të, ka dështuar konstituimi i Kuvendit. Seanca u ndërpre pasi komisioni zgjedhor për zgjedhjen e kryekuvendarit me votim të fshehtë nuk mori votat e mjaftueshme

Bllokada për konstituimin e legjislaturës së nëntë të Kuvendit nuk ka gjetur rrugëdalje as në përpjekjen e 15-të me radhë, të martën.

Për dallim nga vazhdimi i para dy ditëve, të martën ai nisi me një minutë heshtje në nder të 44 vjetorit të rënies së Tahir dhe Nebih Mehës në konfrontim me forcat serbe.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, punimet e seancës së nisur më 15 prill, i ka vazhduar duke kërkuar propozimet nga PDK-ja, LDK-ja, Lista Serbe e AAK-ja, për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryekuvendarit me votim të fshehtë.

E kur propozime nuk pati, ai e hodhi në votim përbërjen e vjetër të komisionit, por që edhe të martën nuk i siguroi votat e mjaftueshme.

“56 për, 1 deputet kundër, asnjë abstenim, …shihemi më 15 maj në 10:30”, ka thënë Dehari, duke e ndërprerë seancën.

Mospjesëmarrjen e deputetëve në votim e kanë kritikuar nga Lëvizja Vetëvendosje.
Deputetja Mimoza Kusari-Lila ka thënë se opozita e deritanishme ka mundësi të rrëzojë kërkesën për votim të fshehtë.

“Kemi mbet në një pikë të rendit të ditës në të cilën po konstatohet mungesë e kourumit vazhdimisht, edhe para dy dite, le të votojnë kundër, sot kanë mundur ta rrëzojnë këtë propozim. Kjo pikë duhet të kalohet, nuk mund të ngecet në këtë pikë”, ka thënë Kusari-Lila.

Por, sipas kryetarit të PDK-së, Memli Krasniqi, zhbllokimi i situatës është në duar të shumicës, me ndërrimin e kandidates për kryetare të Kuvendit.

“Ky insistim i zotëri Kurtit për zonjën Haxhiu është i pakuptimtë. Si duket është pasiguria e tij në faktin e njohur dhe dëshmuar se nuk i ka numrat për shumicën parlamentare”, ka thënë Krasniqi.

E deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka interes e as vullnet për ta zhbllokuar situatën e krijuar.

“Lëvizja Vetëvendosje i ka edhe 13 parti të tjera parlamentare të cilave nuk i kanë bërë ftesa si LDK andaj janë ata që i kanë alternativat në dorë, ndërsa sa i përket kandidatit për kryetar të parlamentit ata i kanë edhe 47 kandidatë të tjerë të cilët munden me u propozu edhe mundet me u pa nëse po kalojnë”, ka thënë Bajrami.

Albulena Haxhiu është propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit. 

Por, për pesë herë sa u hodh në votim si propozim, Haxhiu nuk i ka marrë votat e mjaftueshme.

Nga 1 maji, kryesuesi i seancës, Avni Dehari që vjen nga radhët e Vetëvendosjes, ka tentuar ta kalojë propozimin për votim të fshehtë.

Përpjekja e radhës për konstituimin e Kuvendit do të zhvillohet të enjten, derisa procesi konsiderohet i përmbyllur vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.