Vigan Qorrolli, zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë tha se partitë politike po lexojnë “dromca” të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive. Sipas tij, risi e vendimit është afati prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit.

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Qorrolli tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk duhet lexuar si mozaik apo rubikon, ndonëse ato nuk kënaqin të gjitha palët.

“Në një situatë të tillë ka copëza interpretimi”, tha Qorrolli.

Ai tha se deputetët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të përkrahur nga disa deputetë të tjerë, kanë kërkuar të ndalohet votimi i fshehtë- respektivisht krijimin e komisionit për votmin e fshehtë.

“Çdo aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese lexohet ndryshe-ndryshe prej partive politike. Partitë opozitare të prira nga Partia Demokratike, Lidhja Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke mos qenë të satisfanksionuara maksimalisht nga ajo që kanë pritur të marrin nga Gjykata Kushtetuese, po lexojnë pasazhe të pasakta dhe po lexojnë dromca nga ky aktgjykim, duke mos marrë dispozitivin dhe pjesën e tij arsyetuese si një tërësi në mënyrë që të plotësohet ai mozaik i dëshiruar që të lexohet ky aktgjykim”, tha Qorrolli.

Sipas tij, risia e vetme është afati 30-ditor për përfundimin e seancës konstituive.

“Detyrimi i zbatimit të kërkesave të kryesuesit të seancës konstituive siç e thotë edhe aktgjykimi janë imperative- detyruese dhe prodhojnë efekt imediat politik”, tha Qorrolli.

Qorrolli tha se deputetët po shkelin Kushtetutën me mosvotim. /BetimipërDrejtësi

Jakaj-Qorrollit: Po kërkoni votim të fshehtë në kundërshtim me Kushtetutën

5 d. më parë / 7 kor 2025 21:40
NAIM JAKAJ

Naim Jakaj, menaxher i programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), ka kritikuar zëvendësministrin në detyrë të Drejtësisë, Vigan Qorrolli, për përkrahjen e kërkesës për votim të fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit, duke e cilësuar atë si shkelje të Kushtetutës dhe të praktikës parlamentare.

Gjatë debatit në emisionin “Tempus” në KTV, Jakaj tha se kërkesa për votim të fshehtë është në kundërshtim me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me Rregulloren e Kuvendit, që përcaktojnë qartë se duhet të ndiqen praktikat e mëparshme – konkretisht votimi i hapur.

“Jeni duke bërë kërkesë për të ndryshuar votimin e hapur në votim të fshehtë. Dhe po thoni që përfaqësoni Universitetin? Si mund ta bëni një kërkesë që bie ndesh me Kushtetutën?”, tha Jakaj, duke shtuar se aktgjykimi përcakton qartë respektimin e rendit të ditës të caktuar për seancën konstituive.

Ai theksoi se ndryshimi i formës së votimit është përpjekje për të imponuar vullnet politik mbi normat kushtetuese. /BetimipërDrejtësi

Qorrolli e quan “shantazh politik” mosvotimin e Haxhiut

5 d. më parë / 7 kor 2025 21:31
vigan qorolli

Vigan Qorrolli, zëvendësministër në detyrë i Drejtësisë, gjatë diskutimit për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, tha se mosvotimi i Albulena Haxhiut për kryeparlamentare është “shantazh politik”.

Qorrolli tha në “Tempus” se me moskonstituimin e Kuvendit po ‘shantazhohet’ Lëvizja Vetëvendosje.

“Nëse  është kjo hakmarrje nën brez dhe një lloj reciprociteti i Partisë Demokratike të Kosovës pas sa vitesh e cila po thotë që askush prej anëtarëve të Qeverisë të mos jetë për kryetar të Kuvendit, gjithkush tjetër bën. Ose Aleanca ka shkuar një hap më tutje ka përmend tre emra të përvecëm ndërkohë që një deputet i tyre po e pranon zonjën Haxhiu, me shumë gjasë është një risi e këtyre ditëve”, tha Qorrolli.

Zëvendësministri shtoi se Lidhja Demokratike nuk pranon asgjë që vije nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai bëri thirrje që partitë të marrin pjesë në votim dhe nëse duan të votojnë kundër.

“Midis këtyre tri tezave që vije nga PDK-ja asnjë nga qeveria apo sa janë anëtarë të qeverisë të zgjedhur deputetë, dhe të tjerër bëjnë, LDK-ja s’bën, AAK-ja bëjnë tre, kuptohet se është shantazh i mirëfilltë politik”. tha Qorrolli. /BetimipërDrejtësi

Jakaj: Praktika parlamentare thotë se votimi i kryeparlamentarit bëhet në mënyrë të hapur, këtë e tha edhe Kushtetuesja

5 d. më parë / 7 kor 2025 21:29
NAIM JAKAJ

Naim Jakaj, menaxher i programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se praktika parlamentare thotë se votimi i kryeparlamentarit bëhet në mënyrë të hapur dhe se kjo gjë theksohet edhe nga Gjykata Kushtetuese.

Jakaj tha se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë, ku sipas tij aty thuhet se seanca konstituive duhet të zhvillohet në pajtim me kërkesat e Kushtetutës së Kosovës, Rregulloren dhe praktikën parlamentare.

Sipas Jakajt, aktgjykimi është shumë i qartë, kryetari i Kuvendit votohet në mënyrë të hapur dhe nuk ka devijim asnjëherë nga ky proces.

“Kryetari i Kuvendit votohet në mënyrë të hapur”, tha Jakaj.

Ai shtoi se rendi i ditës duhet të zabtohet me përpikëri nga kryeuesi Avni Dehari, duke theksuar se nuk ka votim të fshehtë dhe kërkohet konsensus për kryetarin.

Ndërsa, në rast se nuk ka konsensus duhet të shkohet me kompromis, që është baza e zgjidhjes së këtij ngërçi politik. Kurse, për nënkryetarët, tha se zgjidhen me procedurë të veçantë. /BetimipërDrejtësi

Dragusha: Kriza politike nuk zgjidhet me interpretim juridik, por me kompromis politik

5 d. më parë / 7 kor 2025 21:28
Ardit Dragusha

Ardit Dragusha, hulumtues në Demokraci Plus, ka deklaruar se ngërçi aktual institucional në vend nuk mund të zgjidhet përmes interpretimeve të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por vetëm përmes një konsensusi politik ndërmjet subjekteve parlamentare.

Në emisionin “Tempus” në KTV, Dragusha theksoi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndonëse ka përcaktuar një afat prej 30 ditësh për konstituimin e Kuvendit, nuk ofron qartësi se çfarë ndodh pas përfundimit të këtij afati.

“Ky aktgjykim është juridik, por interpretimet që po i bëhen atij janë politike dhe nga këndvështrime të ndryshme partiake. Kjo nuk është krizë juridike, por politike”, tha Dragusha.

Sipas tij, pavarësisht pritjeve të mëdha që ishin vendosur mbi Gjykatën Kushtetuese për ta zgjidhur situatën, ajo ka dhënë një vendim që mbetet brenda kornizës ligjore, ndërsa zgjidhja reale duhet të vijë nga vetë skena politike.

“Zgjidhja është politike dhe vjen vetëm përmes një kompromisi të sinqertë ndërmjet partive. Kriza politike nuk mund të zgjidhet me mjete juridike”, përfundoi Dragusha. /BetimipërDrejtësi

Deliu: VV që thirrej në transparencë, sot provon të cenojë institucionet e Republikës përmes votimit të fshehtë

5 d. më parë / 7 kor 2025 21:26
blerta

Blerta Deliu, deputete e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se po e cenon rendin kushtetues dhe institucionet e Republikës përmes përpjekjeve për të imponuar votimin e fshehtë në seancën konstituive të Kuvendit.

E ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Deliu tha se Vetëvendosje, një parti që për vite me radhë është thirrur si gardiane e transparencës dhe llogaridhënies, sot po tenton të ndryshojë një proces kushtetues që gjithmonë ka qenë me votim të hapur.

“Arkiva është pasqyra më e mirë e një subjekti politik. Ata që për vite janë thirrur në transparencë, sot përpiqen ta kthejnë një proces kushtetues në një votim të mbyllur. Kjo është cenim i institucioneve demokratike të Republikës së Kosovës”, tha Deliu.

Ajo theksoi se aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe duhet të zbatohet në tërësi, pa interpretime të njëanshme nga ndonjë grup parlamentar.

“Me keqardhje them se kanë shkelur Kushtetutën mbi 11 herë. Do ta respektojmë në përpikëri aktgjykimin, por nuk do të lejojmë asnjë imponim mbi mënyrën se si duhet të votojmë”, shtoi ajo.

Deputetja kujtoi edhe rastin kur Kadri Veseli ishte kandidat për kryetar të Kuvendit, duke thënë se Vetëvendosje atëherë kishte kundërshtuar kategorikisht çdo mundësi për ta votuar atë, dhe se sot është duke u sjellë në kundërshtim me qëndrimet e saj të mëparshme. /BetimipërDrejtësi