TEMPUS

Qalaj: Bashkësia ndërkombëtare s’ka qenë asnjëherë korrekte me Kosovën

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare në raport me Kosovën nuk ka qenë asnjëherë korrekte.

“Çështja e qasjes së ndërkombëtarëve në raport me Kosovën dhe Serbinë, realisht bashkësia ndërkombëtare nuk ka qenë kurrë korrekte në raport me Kosovën. Fillimisht, për shkak se Kosova vetëm një marrëveshje nuk e ka implementuar, është çështja e mendimit të Gjykatës Kushtetuese për formimin e bashkësisë së komunave serbe dhe është e vetmja marrëveshje që nuk është implementuar nga shteti i Kosovës, ndërsa të gjitha marrëveshjet tjera ose shumica e marrëveshjeve të tjera nuk janë implementuar nga shteti serb”, tha Qalaj në Tempus të KTV-së.

Ai shtoi se veprimet e ndërkombëtarëve në raport me Serbinë ndikohen nga arsye të ndryshme si gjeopolitika, interesat strategjike të vendeve të zhvilluara, fakti se Serbia është një vend dhe treg më i madh dhe sigurisht secili shtet i fortë dëshiron që të ketë marrëdhënie tregtare, duke u shtrirë në tregje më të mëdha, pra interesi ekonomik, po ashtu edhe interesi që Serbia të jetë pjesë e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s, që të largohet nga Rusia.

“Kosova ka qenë në vijë me partnerët ndërkombëtarë dhe nuk kemi pasur deri tash ndonjë qarje të madhe të raporteve, gjithmonë kemi qenë partnerë të mirë dhe realisht e kemi mbështetë njëri-tjetrin”, shtoi Qalaj.

Deputeti Qalaj deklaroi se një zëvendësministër i cili është pjesë e qeverisë së Kosovës ka thënë që ditën e parë se në rast se ndodh implementimi i vendimit të qeverisë do të organizohen barrikada dhe do të bllokohen pikat kufitare.

“Tash e kemi një kryetar komune të pjesës veriore, i cili ka qenë zëvendësministër i punëve të brendshme e që sot ka deklaruar se komuniteti serb në veri do të bllokojë rrugët, do të bëjë trazira, pra nuk janë njerëz të thjeshtë, janë përfaqësues të institucioneve të Kosovës, e të cilët marrin pagë nga buxheti i Kosovës, ndërsa veprojnë dhe punojnë me urdhra të Beogradit. Unë pres që strukturat e ndryshme në veri të urdhëruara, dirigjuara dhe kontrolluara nga kreu i Serbisë e gjithë aparati shtetëror, ka mundësi që të përpiqen të krijojnë probleme të ndryshme në veri, qoftë bllokada të rrugëve, qoftë trazira e kështu me radhë”, tha Qalaj.

Qalaj shtoi se nëse ka diçka të mirë në këtë vendim të marrë nga qeveria, është çështja se po i ofrohet e gjithë koha e botës komunitetit serb në veri, që të përgatiten dhe të konvertojnë targat në targat e Republikës së Kosovës, pasi edhe ata e dinë se janë banorë të shtetit të Kosovës dhe nuk kanë mundësi tjera pos konvertimit të këtyre targave.