Arbëri

Institucioneve u kërkohet koordinim më i madh me aleatët ndërkombëtarë

Qeveria e Kosovës

Njohës të zhvillimeve politike e kanë potencuar rëndësinë e bashkëpunimit me aleatët që duhet ta ketë ekzekutivi kosovar në veprimet e tij. Ata, po ashtu, i kanë bërë thirrje Qeverisë që të punojë me serbët e Kosovës që ata ta kthejnë besimin në institucionet. Kjo është e domosdoshme, sipas tyre, edhe për realizimin e synimeve për mbylljen e zyrave të strukturave paralele.

Dialogu i Qeverisë me bashkësinë ndërkombëtare e me serbët e Kosovës po shihet i domosdoshëm pas reagimeve kundërshtuese të ndërkombëtarëve ndaj bastisjes së zyrave të komunave paralele dhe paralajmërimit për ndalim të përdorimit të dinarit.

Eksperti për Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer shtron dilemën nëse ndërkombëtarët po reagojnë lehtësisht e me ashpërsi ndaj Kosovës, meqë është palë me e dobët, derisa Serbia nuk kritikohet me rreptësi të tillë.

“Vazhdon të jetë një pyetje në mendjen time a është e justifikueshme kur bëjnë reagime të tilla të forta apo a është një shembull tjetër kur shtetet perëndimore i bien në qafë Kosovës që justifikohet. Çfarëdo që bën Kosova besoj se është brenda autoritetit të saj sovran, por Perëndimi duket se po kundërshton gjithë kohën kur ushtrohet ai autoritet sovran prej Qeverisë së Kosovës dhe jo aq shumë kur Serbia e organizon një sulm brenda Kosovës”, ka thënë Serwer.

Serwer thotë, po ashtu, se është jashtëzakonisht i rëndësishëm rritja e besimit të serbëve në institucionet e Kosovës.

“Kosovës i duhet mbështetja e popullsisë së saj serbe. Është jashtëzakonisht me rëndësi për identitetin e saj të veçantë që ta ketë një popullatë serbe dhe që ajo popullatë të vazhdojë të qëndrojë në Kosovë dhe që të bëhet në vazhdimësi ta pranojë shumë e më shumë autoritetin e Kosovës. Çka do që lëviz në drejtim të kundërt e bën më të vështirë për serbët që të jetojnë në Kosovë dhe që të jenë besnikë ndaj autoriteteve”, ka deklaruar ai.

E politologu Artan Muhaxhiri thotë se Kosovës iu vunë sanksione pikërisht shkaku i mos-koordinimit me aleatët e saj dhe çështjet si targat në fund të fundit i zgjidhi në tryezën e bisedimeve bashkë me ndërkombëtarët.

“Siç ka ndodhur edhe në rastet e kaluara me çështjen e targave kur Kosova e ka marrë një vendim i cili ka qenë i pa harmonizuar me aleatët ndërkombëtarë atëherë ka pasur shumë probleme, shumë bllokada, pasojat e të cilave po i vuajmë edhe sot. Mirëpo në anën tjetër kur procesi i njëjtë i targave është bërë me marrëveshje atëherë ka kaluar pa asnjë telashe. Pra Kosova ka shumë nevojë për aleatë dhe gjëja e fundit që duhet të bëhen projekte të mëdha pa marrëveshje me ta sepse kështu nuk do të jetë mirë për Kosovën në të ardhmen, veçanërisht në profilizimin ndërkombëtar dhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare”, ka thënë Muhaxhiri.

Javëve të fundit ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i kanë përcjellë nga afër aksionet e autorizuara nga Prokuroria Themelore në Pejë dhe ajo në Prizren ku u konfiskua inventari i zyrave të komunave ilegale të Serbisë në këto rajone.

Ata, po ashtu, përcollën nga afër edhe prerjen e billbordit me “qytetarët e nderit” të Komunës paralele të Zveçanit, që kishte figurat e presidentit serb, presidentit rus e ish-shefit të Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq.