Rashit Qalaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se vendimi për qortimet lidhur me targat ilegale serbe nuk është i koordinuar fare me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë.
Qalaj tha se vendimi për qortimet është i komplikuar për zbatim dhe kjo për pak kohë e ul tensionin.
“Realisht, është një vendim që nuk është i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare dhe partnerët tanë strategjikë, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, meqenëse i patëm edhe reagimet dhe e dyta, realisht ikin nga implementimi i vendimit që është dashur të fillojë nga sot”, tha Qalaj në “Tempus” të KTV-së.
Ai shtoi se është i komplikuar implementimi i tij dhe qortimet nuk kanë ndonjë efekt juridik.
“Ajo që ndodhi në shtator të vitit të kaluar nëse nuk gaboj, apo në fillim të muajit tetor, kur nga zhvillimet në terren u zhvillua një raund i bisedimeve në Bruksel dhe në njëfarë mënyre u legjitimuan këto targa për disa muaj, pastaj erdhi vendimi i Qeverisë, vendim i ligjshëm, të cilin personalisht e kam përkrah dhe Kosova ka të drejtë për masa reciproke ndaj Serbisë”, tha Qalaj.
Ai shtoi se nëse kryeministri Albin Kurti e ka pasur marrëveshjen në tavolinë, ku parashihej njohja reciproke, është dashur që marrëveshja të shtyhet për 10 muaj, në të kundërtën nëse nuk parashihej njohja reciproke, kjo marrëveshje duhej zbatuar deri sot.