Manovër të Serbisë për të ulur presionin që është duke iu bërë pas parregullsive që kanë shoqëruar zgjedhjet e 17 dhjetorit e ka konsideruar kryeministri Albin Kurti vendimin për njohjen e targave RKS. Megjithëkëtë, ka thënë se një vendim të njëjtë do ta marrin për targat e Serbisë pasi të sigurohen se pala serbe është duke zbatuar vendimin që ka marrë. Në mbledhjen e Qeverisë, por edhe në konferencën pas saj, Kurti ka prezantuar disa prej sukseseve që tha se kanë arritur gjatë këtij viti.
Qeveria e Kosovës do të presë zbatimin e vendimit të Serbisë për njohjen e targave RKS para se të marrë një veprim të njëjtë.
Kryeministri Albin Kurti, në adresimin para mbledhjes së ekzekutivit, vendimin e Qeverisë së Serbisë e lidhi me kritikat që janë duke iu bërë asaj nga ndërkombëtarët për parregullsitë në zgjedhjet e dhjetorit.
“Kështu duhet lexohet ky veprim i Serbisë, që më shumë se konstruktivitet dhe hap drejt normalizimit mbi bazën e shkronjës dhe frymës së Marrëveshjes Bazike, është një manovër e radhës, jo për hir të shtetit serb, kurrsesi për atë Kosovës, por për hir të pushtetit në Beograd”, ka deklaruar Kurti.
Ndërkaq në konferencën për media Kurti tha se çështje problematike në dialogun me Serbinë tash është letra e kryeministres Ana Bërnabiq për marrëveshjen e deklarimi i emisarit Miroslav Lajçak për draftstatutin e Asociacionit.
“Nëse e lexoni atë letër Serbia ka hequr dorë nga marrëveshja bazike. Nuk do të duhej të merrem unë, le të merret ndërmjetësi me njërën palë që u tërhoq nga marrëveshja bazike, pse duhet të merrem unë me këtë gjë... Nëse draftstatuti na paska qenë çështje e brendshme e Kosovës tash e dy vjet ose tash e 10 vjet pse e ngrisnin këtë punë në Bruksel . S’po e flasim fare në Bruksel, një temë më pak, po ecim përpara”, ka thënë Kurti.
Në adresimin para gazetarëve Kurti e zv.kryeministrja Donika Gërvalla renditën disa prej arritjeve që të dy konsideruan se kanë arritur gjatë këtij viti.
Ndonëse në tre vjetët e deritanishëm të qeverisjes së Kurtit, Kosova nuk ka siguruar asnjë njohje të re, ministrja Gërvalla tha se do të vazhdojnë me avazin e njëjtë në politikën e jashtme.
“Edhe me shtetet jonjohëse kemi pasur përparim të dukshëm në marrëdhëniet bilaterale në fushat e ndryshme kemi luftuar me sukses fushatën për çnjohje të Serbisë duke rikthyer madje edhe çnjohje nga e kaluara dhe duke konkretizuar edhe marrëdhëniet bilaterale me shtete më të largëta në fusha bashkëpunimi me interes të përbashkët”, ka shtuar Gërvalla.
Ndërkaq Kurti në mesin e arritjeve përmendi shtesat e ndara për stafin shëndetësor, ndihmën ndaj bizneseve, subvencionimin e energjisë, vendimet për shpronësime të pronave, mbështetjen për Luginën e miratimin e disa projektligjeve.