TEMPUS

Kryeziu për planin franko-gjerman: Të diskutohet me të gjitha palët se cili është pozicioni i Kosovës

Opinionisti Taulant Kryeziu ka thënë se lidhur me planin franko-gjerman, do të duhej të diskutohej me të gjitha palët për të kuptuar se cili është pozicioni i Kosovës në këtë çështje.

“Plani franko-gjemran është një propozim, një kornizë, që tashmë po dihet që është në duart e të dy palëve. Edhe në Kosovë, liderët sot është dashur ta kenë parë të gjithë, është e konfirmuar nga z.Haradinaj nga takimi i kaluar, sot besoj e kanë parë të gjithë. Ajo ku unë më shumë bazohem është mbase intervista e z.Escobar, ku ka disa elemente, pra ku nuk bëhet fjalë për njohje de jure, bëhet fjalë për një njohje de facto, sipas të drejtës ndërkombëtare e dimë që njohje të tilla janë njohje të përkohshme, por pastaj duhet të shihet a ka elemente të tjera ku Kosova trajtohet si shtet i barabartë me shtetet sovrane, a flitet për respektin, sovranitetin dhe integritetin evropian”, tha Kryeziu në “Tempus”.

Sipas tij, më pas duhet të shihet se cili është çmimi që Kosova duhet të paguajë në këtë proces.

Kryeziu theksoi se mendon që pjesë e këtij propozimi franko-gjerman do të jetë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve në kuadër të procesit të Brukselit.

“Duhet të diskutohet me cilat pika Kosova nuk është dakord, është dashur të diskutohet sot në atë takim apo forum me partitë politike, pastaj të diskutohet me mediat, me shoqërinë civile, por edhe me botën akademike, me konfesionet fetare, me të gjithë. Sa më shumë të hapet, sa më shumë transparencë, sa më i gjerë konsensusi dhe kompromisi që Kosova në fund ta ketë mundësinë të jetësojë çdo obligim që e merr në këtë proces, sepse e dimë që marrëveshje të tilla i nënshtrohen procesit të ratifikimit dhe mendoj që me kohë duhet të informohen të gjitha palët se cili është pozicioni i Kosovës në raport me propozimin në fjalë dhe si e shohim rrugën përpara”, shtoi ai.