Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Peci: Me planin franko-gjerman, Serbia do ta njohë Kosovën de facto

Drejtori Ekzekutiv i Institutit KIPRED, Lulzim Peci, ka thënë se me planin evropian, i njohur ndryshe edhe si franko-gjerman, Serbia do ta njohë Kosovën de facto.

I ftuar të enjten në “Konfront” të KTV-së, Peci ka thënë se është më mirë që është hartuar ky plan sesa të vazhdohej si më parë në lidhje me dialogun midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

“Sa i përket marrëveshjes ne duhet ta kemi parasysh që nëse lexohet me kujdes, e shohim që katër pikat e para të kësaj marrëveshjeje janë kopjim i marrëveshjes gjermano-gjermane që ka pasur të bëjë me rregullimin e raporteve të dy shteteve pa njohje eksplicite. Edhe tash domethënë kjo marrëveshje, logjika e saj qëndron pikërisht këtu, që kjo nënkupton në një formë ose tjetër njohje defacto nga Serbia. Kjo është e vetmja marrëveshje që ka ardhur në tavolinë”, ka thënë ai.

Sipas Pecit, me pranimin e këtij plani, njihet subjektiviteti i Kosovës dhe integriteti territorial.

“Në pikat e para e kemi çështjen e sovranitetit, integritetit territorial, provizionin e Kombeve të Bashkuara që përdoren për rregullimin e marrëdhënieve mes shteteve dhe jo brenda shteteve, këtu qëndron pse është njohje defacto. Me këtë marrëveshje, Serbia do ta pranojë sovranitetin e Kosovës, juridiksionin e saj në krejt territorin e Kosovës dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës. Me fjalë të tjera nënkupton njohjen e ekzistencës së vendit tonë, mirëpo nuk e ka njohjen eksplicite”, tha ai.

Peci, deklaroi se plani franko-gjerman do të ishte më i mirë për Kosovën, sikur të publikohej në vitin 2013. Ai tha se ky plan s’është opsion i lehtë për palën kosovare, por i përfshin disa mundësi që s’duhet të neglizhohen.

Plani franko-gjerman, pos aneksit që se dimë çka ka, ka qarkulluar që nga vjeshta e 2022-s. Opsioni s’është i lehtë për Kosovën, sa është i mirë mendoj se ky plan, ndoshta e ka pasur kohen në vitin 2013, e jo sot. Pas vendimit të GJND-së, ky format është dashur të jetë i 2013-s, e nga ato negociata që janë zhvilluar, ne praktikisht kemi pasur disa përmirësime në terren që s’bënë t’i nënvlerësojmë”, deklaroi Peci.

Sipas tij, në nisje të negociatave, anë pozitive ishte inkuadrimi i serbëve në institucionet e Kosovës.

Ndërsa profesori universitar, Arben Hajrullahu, tha se Kosova e Serbia do të duhej të krijonin raporte normale në kohën kur kishte rënë komunizmi. Edhe ai u shpreh se plani franko-gjerman do të duhej të diskutohej një dekadë më parë.

“Duke supozuar se përmbajtja është ajo që po komunikohet, pasi ne s’e kemi parë kornizën e parimeve që janë dakorduar palët. Në parim po thuhet se është bazë e mirë, por nisur nga ajo që thuhet, s’është idealja... Tash mundësitë janë të mëdha që të dilet nga një vrimë që po vendnumëron rajoni, por jo kryesisht me fajin e vet”, shtoi Hajrullahu.

Artikuj të ngjashëm