Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Njohja reciproke për normalizim të plotë të marrëdhënieve

Kryeministri Albin Kurti deklaroi se njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë në qendër të normalizimit të marrëdhënieve.

Ai deklaroi për Euronews të dielën se plani frako-gjerman është plan i rëndësishëm për t’i vazhduar negociatat, por sipas tij, ky plan është vetëm fillestar për dialog.

“Ky plan evropian është bazë e mirë për diskutime. Por, nuk bëhet marrëveshje pa edhe një raund të diskutimit. Pra, plani nuk është marrëveshje finale, por mbase diskutim fillestar. Ajo që më ka pëlqyer më së shumti në këtë tekst është se propozim evropian dhe demokratik, që thirret në koncepte universale. Propozim dyfaqësh, me terme gjenerike, por me koncepte universale... Mendoj se tullat në të cilat duhet të ndërtohet kjo godinë në këtë propozim kanë karakter universal. Pajtohem që normalizimi i plotë është i mundshëm vetëm nëpërmjet një marrëveshjeje ligjore dhe ndërkombëtarisht të obliguar, me njohje reciproke në qendër”, deklaroi Kurti.

Sipas kryeministrit, zyrtarët ndërkombëtarë thonë se normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë nuk arrihet pa njohje reciproke, ndërsa tha se njohja e Kosovës nga Serbia është e domosdoshme.

“Por, në të njëjtën kohë e kemi po aq të rëndësishëm njohjen de juro dhe njohjen e 5 shteteve të BE-së. Nëse s’mund të kemi ulëse në OKB, duhet të angazhohemi që 5 vendet t’i kemi në anën tonë. Ne nuk mund të ndikojmë edhe shumë, por ata që mund të bëjnë shumë punë janë partnerët dhe miqtë tanë ndërkombëtarë. Kemi nevoje të ecim sa më shpejt në integrimet evropiane”, u shpreh ai.

Për Asociacionin, Kurti tha se nëse ka diçka të veçantë është fakti që s’e ka kaluar “testin” e Gjykatës Kushtetuese.

“Tendenca e Beogradit është që ta nxjerrë në qendër marrëveshjen për Asociacionin. Asociacioni nëse është i veçantë, është i tillë sepse s’e kaloi testin e Kushtetues. 7 kapituj i ka ajo marrëveshje (e Asociacionit v.j.), në 23 nene e ka shkelur Kushtetutën”, tha Kurti, duke theksuar se Serbia s’i ka respektuar as dy të tretat e gjithsej 33 marrëveshjeje të nënshkruara në Bruksel”, tha ai.

Artikuj të ngjashëm