LAJMET E MBRËMJES

Kurti e Bërnabiqi përplasen për moszbatimin e marrëveshjeve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Forumin e Bledit në Slloveni, e ka përmendur marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit, të cilën po e shkel Serbia. E kryeministrja e Serbisë ka thënë se Kosova nuk e ka themeluar Asociacionin e Komunave Serbe. Në panelin e liderëve, në Forumin Strategjik të Bledit, u shpalosën edhe pikëpamje krejt të ndryshme të liderëve lidhur me formën se si duhet të anëtarësohen vendet e Ballkanit Perëndimor. Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë se synimi i BE-së është që të pranojë shtete të reja anëtare deri në vitin 2030.

Për moszbatim të marrëveshjeve të dakorduara e kanë kritikuar Kosova e Serbia njëra-tjetrën në Forumin Strategjik të Bledit në Slloveni.

Kryeministri Albin Kurti tha se Serbia nuk po e zbaton marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit duke e bërë edhe normalizimin të vështirë.

“Nuk e kanë distancuar veten as prej Millosheviqit e as prej Putinit, kështu që nuk është e lehtë për ne. Do t’i normalizoja marrëdhëniet dhe menjëherë do ta bëja këtë për shembull, nëse fqinja ime do të ishte Republika Çeke, por normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është shumë më i vështirë”, whstw shprehur Kurti.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, e pyetur në panelin për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se “është vetëm një shtet për të dhe nuk janë dy shtete”.

Ajo u ankua po ashtu se Kosova s’po e zbaton marrëveshjen e normalizimit të vitit 2013.

“E ashtuquajtura Republikë e Kosovës nuk është shtet i njohur ndërkombëtarisht, nuk është anëtare e OKB-së. Po qartë dyshoj se do të bëhet pjesë e BE-së, derisa të ketë pesë shtete mosnjohëse. Normalizimi është në interes të Beogradit e Prishtinës, të serbëve dhe shqiptarëve, është në interes të gjithë rajonit, është qartë një gjë e lartë në listën e prioriteteve tona”, theksoi ajo.

Kryeministri Kurti ka reaguar ndaj deklaratës së homologes së tij serbe, Bërnabiq, duke thënë se normaliteti në psikologji nënkupton mungesë të konfuzitetit mes realitetit dhe fantazisë.

“Mund të ndodhë, sepse na duhet ta zbatojmë këtë traktatin bazik të cilin presidenti i Serbisë dhe unë jemi dakorduar në Bruksel. Normaliteti në psikologji nënkupton mungesë të konfuzitetit mes realitetit e fantazisë dhe ky është një regjistër tjetër ku nuk mund të kontribuoj fatkeqësisht”, theksoi Kurti.

Ai tha po ashtu se është esenciale që respektimi i të drejtave të pakicave e njohja reciproke mes shteteve të jenë parakusht i anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Vizione krejt të ndryshme dhanë lidhur me rrugën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE.

Presidenti i Këshillit Evropian, Charl Michel, tha se duhet të ketë pajtim mes shteteve. U shpreh optimist për antarësimin e rajonit më 2030.

“Zgjerimi më nuk është ëndërr, është koha të ecim para, ka shumë punë për të bërë. Të jemi të qartë, nëse duhet të jemi kredibilë duhet të flasim për afate kohore, duhet të flasim për detyrat tona të shtëpisë, sugjerimet, ndërsa përgatitemi për agjendën e ardhshme strategjike të BE-së. Ne duhet të vendosim synim të qartë, besoj se duhet të jemi të gatshëm të dyja palët deri në vitin 2030 të zgjerohemi”, deklaroi ai.

Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria i ka kaluar 50 vjet nën komunizmin e Enver Hoxhës dhe mund t’i bëjë edhe 50 vjet pritje, pra deri më 2030, për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ai deklaroi se nuk beson se Shqipëria do të jetë në BE në atë vit, porse së paku të realizojë disa prej hapave.

Rama ka thënë se gjithë çështja e zgjerimit të BE-së ka filluar të përshpejtohet pas pushtimit rus të Ukrainës.

E presidenti kroat, Andrej Plenkoviq, tha se nuk duhet të ketë ngadalësim apo kushtëzim të integrimit evropian shkaku i problemeve fqinjësore.