Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Kryeziu: Kosova të mos pranojë marrëveshje që ndërron formën e shtetit

Opinionisti Taulant Kryeziu në emisionin “Tempus” të KTV-së të martën ka thënë se Kosova duhet të insistojë për njohje të përhershme, si dhe të mos pranojë marrëveshje që shkelin formën e saj.

“E kemi pa edhe nga z.Kurti, ai i ka dhënë disa detaje nga marrëveshja, ka pasur një prononcim pas takimit në Berlin, ku realisht ai flet që brenda marrëveshjes do jenë disa koncepte universale, që bëhet fjalë për integritet territorial, sovranitet, respektim të sovranitetit të ndërsjellë, barazi, që janë elemente që i gjen në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, tha Kryeziu.

Sipas tij, kur flitet për shtetësinë, këto janë elemente që nuk bëhet fjalë për njohjen e pastër de jure, por bëhet fjalë për një njohje de facto.

Tutje, ai tha se Kosova duhet të insistojë pareshtur që të kërkojë njohje de jure, njohje formale, njohje të përhershme.

Gjithashtu, Kryeziu tha se mund të jetë pjesë e marrëveshjes zbatimi i të gjitha marrëveshjeve që ka bërë Kosova në kuadër të procesit të dialogut në Bruksel dhe njëra nga ato është marrëveshja për Asociacionin.

“Kosova nuk duhet të pranojë marrëveshje të cilat e ndërrojnë formën e shtetit të saj, që shkelin parimin e Kosovës si një shtet unitar, ku ndërtojnë një asimetri të një trupi i cili ka një lloj shkëputje prej kontrollit, edhe kontrollit të ligjshmërisë edhe kontrollit të kushtetueshmërisë prej nivelit qendror. Pra, këtu duhet të vendosen disa parametra, çdo gjë që është brenda rendit kushtetues, çdo gjë që është edhe në përputhje me atë që është thënë nga Gjykata Kushtetuese. Pra, çdo etniteti i cili realisht edhe nuk e shkel konceptin e Kosovës si një demokraci kushtetuese, një shtet multietnik, ku vlerat, etnitë qëndrojnë nën përfaqësimin e nivelit institucional, për arsye se në një shoqëri multietnike nuk ndërtohen institucionet publike në bazë të përkatësisë etnike, kjo është një detyrim që e ka Kosova edhe sipas Strasburgut. Institucionet qendrore nuk ndërtohen në bazë të përfaqësimit etnik dhe tjetra të mos pranojë ndërtimin e një lloj trupi të brendshëm, i cili e ndërron formën e shtetit të Kosovës”, tha ai.