Dialogu

Kryeziu: S’mund ta nisim zbatimin e Asociacionit pa u siguruar për njohjen de facto

Ajo që është e rëndësishme është që çështja e dinarit të përfundojë si mekanizëm i financimit të strukturave paralele

Taulant Kryeziu, analist politik, ka thënë se çështja për Rregulloren e BQK-së duhet të mbahet në terma të mbrojtjes së integritetit financiar të Kosovës, dhe se takimi për të në Bruksel në nivel teknik e jo politik.

Ai ka thënë se për çështjen e dinarit veçse po bëhen përgatitjet e informimit të qytetarëve serbë dhe se për afate kohore duhet të diskutohet me partnerët ndërkombëtarë, pasi siç ka theksuar Kryeziu “nuk preket partneriteti me miqtë tanë për çështje të afateve kohore”.

“Ajo që është e rëndësishme është që çështja e dinarit të përfundojë si mekanizëm i financimit të strukturave paralele”, ka thënë ai në “Interaktiv”.

Kryeziu ka shtuar se kryeministri Albin Kurti ka sjellë një qasje tjetër në dialog, ndryshe nga më parë, dhe se kjo edhe mund të ketë ndikuar në partneritetin me ndërkombëtarë.

“Prej ardhjes së Kurtit në Qeveri ka treguar një qasje tjetër në dialog, vendosjen e parimit të barazisë, trajtimit të Kosovës jo si objekt por si subjekt, dhe ka një dorë më të fortë dhe më të hekurt në procesin e dialogut. Mbase amerikanët mund ta kenë një shqetësim që informimi paraprak nuk ka qenë në masën që ata e kanë kërkuar”, ka thënë ai.

Ka deklaruar se është jetike për Kosovën që ta ruaj rolin e SHBA-së në procesin e dialogut.

Kryeziu është shprehur se Kosova nuk mund të nisë zbatimin e marrëveshjeve – Asociacionit në atë mes – pa e ditur qartë se Serbia e njeh Kosovën.

“Ne ende nuk po e dimë a kemi marrëveshje a jo. Nëse gojarisht është thënë nga Vuçiqi se nuk ka marrëveshje menjëherë pas Ohrit, dhe në praktikë është dëshmuar qoftë me letrat ku kërkohej çnjohje e Kosovës, pengim i rrugës së anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, letra e Bërnabiqit, të gjitha tregojnë një gjë dhe i japin të drejtë kërkesës së Kurtit për nënshkrim. Pse të mos nënshkruhet një marrëveshje. Kemi marrëveshje të nënshkruara sot dhe nuk janë zbatuar, por detyrimet ndërkombëtare është problem t’u ikësh. Nuk po them se me nënshkrimin e marrëveshjes Serbia nuk mund ta bëjë një Banjskë të dytë, apo nuk e ka tendencën, por ne nuk mund të fillojmë të zbatojmë pjesë të caktuara të asaj marrëveshjes pa e kuptuar qartë a është e interesuar dhe a e ka njëmend Serbia ta bëjë njohjen de facto të Kosovës”, ka theksuar ai.

Kryeziu sheh pak progres sa i përket dialogut gjatë këtij viti dhe nënshkrimit të ndonjë marrëveshjeje finale.