Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) Astrit Kolaj, ka theksuar se në Odën e Avokatëve të Kosovës (OAK) mungon llogaridhënia.
Sipas tij llogaridhënia është një proces i rëndësishëm i cili kontribuon jo vetëm në Odën e Avokatëve, por në secilin institucion dhe se i kontribuon profesionalizmit dhe efikasitetit në punë.
“Ashtu sikurse në shumicën e institucioneve të Kosovës ku mungon llogaridhënia, edhe në Odën e Avokatëve, në bazë të monitorimeve dhe hulumtimeve që i kemi bë ne, mungon dhe ka munguar llogaridhënia. Kemi parë shumë deklarata që janë transmetuar nëpërmes mediave, të cilat e kanë kaluar edhe Kodin e Etikës së një avokati, fyerjet, akuzat që kanë bërë ndaj personave me përgjegjësi publike nga institucionet tjera dhe nuk e kemi parë asnjë reagim apo vendim disiplinor që mund të merret ndaj avokatëve në fjalë”, ka deklaruar Kolaj në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai ka theksuar se te proceset gjyqësore ka raste kur janë bllokuar proceset në mungesë të delegimit të avokatëve dhe se ky problem duhet të trajtohet nga kryetari që do të zgjidhet në krye të OAK.