Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, në emisionin “Tempus” në KTV, tha se kryeministrit Albin Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati u ka shkruar 27 herë zyrtarisht, por që nuk janë takuar me të.
“E tha në medie, tha ata që më ftojnë unë shkoj tek ta. Unë personalisht, kryeministrit dhe ministrit të Financave, zyrtarisht i kam shkruar 27 herë shkresat për… dhe ai nuk e sheh të arsyeshme, normal që tani e tutje në njëfarë forme po them ne kemi heq dorë prej saj, sepse e kemi kuptu që nuk don”, tha Azemi.
Ai tha se duhet ta kemi të qartë se njerëzit me bindje politike nuk mund t’i udhëheqin çështjet ekonomike.
Sipas tij, Kryeministri duhet të mbajë më shumë përgjegjësi për punëtorin që ky e përfaqëson, më shumë sesa vetë Azemi.
“Por, në aspekt ekonomik po shihet që është punëtori që unë e përfaqësoj, ai punëtor është edhe i Kryeministrit. Bile, bile më shumë duhet me mbajtë përgjegjësi ai për punëtorin që flas unë sesa unë, sepse ai e ka magjen dhe unë mund t’ia tërheq vërejtjen për raste, sepse ai nuk mund t’i dijë të gjitha. Por unë kom mendu që në moment kur ky të vijë Kryeministër, ne kemi me pas nevojë me ia qit një letër, me i thanë “Kryeministër, kompanitë private me miliona euro po i ikin kontributeve të punëtorëve të sektorit privat të Kosovës”, shtoi tutje ai.
Mirëpo, tha se tash kemi kaluar në një fazë tjetër, duke shtuar se “nëse ti i thua që po bëhet një e keqe ndaj një punëtori të sektorit privat, ai vetëm e mendon atë që ky po flet kundër meje”.
Sipas Azemit, me subvencionet për punëtorët e sektorit privat, vetëm se po ndihmohen familjarët e pronarëve të kompanive.
“A ka qenë mirë me marrë një ide të një sindikalisti, me thanë më fal bre unë du me i nda 100 milionë euro, cila mendon ti që është forma, veç propozo”, shtoi ai.
Azemi tha se forma për t’iu dhënë para familjarëve të pronarëve të kompanive është e dëmshme dhe është vepër penale.
Kalaj thotë se Ligji për skemat pensionale edhe po të bëhej në Beograd s’do ishte “më i poshtër”
Veterani i sindikalizmit, Ndue Kalaj, tani pensionist, tha se Ligji mbi skemat pensionale edhe sikur të bëhej në Beograd nuk do bëhej më i poshtër.
Kalaj tha në “Tempus” se që nga viti 2015 është marrë me çështjet e Ligjit mbi skemat pensionale, të financuara nga shteti.
“Unë edhe në plot emisione e kam thanë besomëni që ky Ligj që është bë në vitin 2014, e ka fillu në vitin 2015, ka qenë ligji më poshtërues, më i keq, më diskriminues dhe më çnjerëzor që ka mujt m’u bo ndaj kategorive të viteve të ‘90-ta. Domethënë, aq i ka ulur poshtë sa që beso ky Ligj me u pat punu në Beograd edhe me e pa miratu Parlamenti i Beogradit, Ligj ma i poshtër s’ka mujt me u kanë”, tha Kalaj.
Sipas tij, edhe bashkëpunëtorët e regjimit të Millosheviqit, qoftë ata që kanë ardhur prej viseve të Serbisë e që i kanë zënë vendet e tyre pa konkurse e pa shpallje, e kanë marrë pensionin kontributdhënës.
Kalaj thotë se njerëzit të cilët janë larguar në vitet e ‘90-ta në baza politike nacionale, i kanë ulur në atë kategori sikurse ata të cilët nuk kanë punuar asnjë ditë.
“Njerëzit të cilët janë largu në vitet e ‘90-ta, jo vetëm tash në baza politike, se në baza politike ka edhe sot që largohen. Por, në baza politike nacionale dhe më çnjerëzore me polici, i ka lanë për shembull, i ka ulë në atë kategori si ata njerëz që s’kanë punu asnjë ditë punë, asnjë ditë rrogë”, tha Kalaj.
Tutje, ai tregoi se si deri në vitin 2018 kishte punuar me Avokatin e Popullit dhe se kishin arritur të nxjerrnin një rekomandim me 18 faqe, e që sipas tij ka qenë i shkëlqyeshëm.
“Ka qenë një rekomandim i shkëlqyeshëm, i cili rekomandim u është drejtuar institucioneve të Kosovës dhe në atë periudhë kohore kemi bisedu me ministrin atëherë Reçica dhe na premtoi se duhet të bëhet ndryshim-plotësimi dhe u përgatit një draft me neve. Mirëpo, për shkak të shpërbërjes u shpartallua”, shtoi Kalaj.
Ai po ashtu tha se ata janë Sindikata e Administratës që këtë Ligj e kanë çuar në Gjykatën Kushtetuese dhe se i njëjti është shfuqizuar.
“Por çka ndodhi? Siç e përmendi ky kolega, ai Ligj që u shfuqizua, këta nuk dojshin me ndryshu. Ministri i Financave Punës dhe Transfereve dilte me deklarata pompoze se gjoja janë 70 mijë njerëz. Unë nuk e di ku i merr këta 70 mijë njerëz që do të përfitojnë sepse arsimi e këta e kishin të përfitume”, tha tutje Kalaj.
Sipas tij, Ligji pas ndryshimit përkundër që e ka zbutur diskriminimin poshtërues, edhe për faktin që ua pranon vitet e largimit dhe i bëjnë kuumulative 15 vjet ata që arrijnë ti bëjnë, ky ligj nuk i paguan to.
“Pra, në qoftë se ti i bën 15 vjet, ndërsa 10 vjet i ke para lufte, atëherë ti ke me marrë pensionin jo 265 me fakultet, por ki me marrë vetëm 200 euro, 65 euro t’i heq. Po a ka një ligj në botë që ta pranon një të drejtë e nuk ta paguan, jo vendim por ligj”, shtoi ai.
Jasharaj: Në fushata dëgjuam fjalime të bukura, që nga ulja në karrige asnjë minutë dialog sindikal
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se gjatë fushatave kanë dëgjuar fjalime të bukura nga partia që tani është në pushtet, por që nga ulja në karrige s’ka pasur asnjë minutë dialog sindikal me kryeministrin Albin Kurti.
Jasharaj tha se Qeveria Kurti ka qasje të gabuar, duke shtuar se edhe zëvendëskryeministri mban ligjërata për sindikatat.
“Madje edhe zotëri Kurti thotë do të vijë koha kur punëtorët do ta kuptojnë se sindikalisti më i mirë kam qenë unë. E kundërta, ju e thatë gjatë fushatave ne kemi pas takime me të dhe fjalimet e tij kanë qenë të bukura, por me ardhjen te Kurti ne kemi fillu me thyerjet, te Kurti 2 thyerjet kanë qenë pa fajin tonë”, tha Jasharaj.
Ai tha se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) i ka dërguar 80 shkresa Kryeministrit e se ai dilte për ta nënçmuar në publik.
Po ashtu, Jasharaj tha se tek anëtarësia Kurti thoshte se është takuar 30 herë me kreun e BSPK-së, Atdhe Hykollin, por që sipas tij mund të jenë takuar rrugës ose vetëm janë përshëndetur e kanë pirë kafe.
Por, thotë që si SBASHK dhe sindikata nuk mbajnë mend asnjë takim përmbajtjesor.
“Nuk na duhen ne takimet e me dalë fotografët e tyre herë në qoshe, herë në kënd, e herë tu pi kafe, e ata me mbaru aty komunikatën për media “u takuam” e kështu që prandaj asnjë minutë dialog të mirëfilltë sindikal që nga ulja në karrige të Kryeministrit. E këtu unë po them i ka ndihmu shumë edhe zëvendëskryeministri, që dikur ishte në Qeverinë 1, ishte i financave”, shtoi ai.
Jasharaj tha se në qasjen negative i ndihmon ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili sipas tij “i barrikadon”.
Gjithashtu, Jasharaj foli edhe për fuzionimin e ministrive, duke thënë se fuzionimin e kanë bërë me qëllime negative.
“Këta dolën në fillim thanë “hej, këta tjerët i kanë pas 15-16 ministri, shumë pare, shumë ministra”. Këta i fuzionuan ministritë, po alamet, i fuzionuan me qëllime negative”, tha Jasharaj.
I njëjti tha se duhet të ekzistojë Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale sepse është adresë e tyre, duke shtuar se Murati ua “elektrizon” anëtarësinë në aspektin jo të mirë.
“Ngase del thotë “kurrë buxhet më të madh në histori të Kosovës, Republikës së Kosovës s’kemi pas se tani, 3 miliardë e më shumë…”, tha ai.
Jasharaj tha se ironike është edhe ajo se çfarë u bë me Ligjin e Pagave, pasi sipas tij ngritja nga 105 tek 110, tek arsimi ka sjellë një ngritje ironike për 28 euro.
“Po flas nga çerdhet deri në arsimin parauniversitar dhe e kemi tendencën e ikjeve edhe në arsim dhe ky është rrezik shumë i madh”, shtoi tutje kreu i SBASHK-ut.
Jakaj: VV-ja në opozitë ka qenë bashkëpunuesja me e madhe me sindikatat, tash kemi barrikadim
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Lëvizja Vetëvendosje gjatë kohës kur ka qenë në opozitë, ishte bashkëpunuesja më e mirë e sindikatave.
Jakaj gjithashtu ka kujtuar se sindikalistët kanë qenë edhe pjesë e listave zgjedhore.
“Kanë qenë pjesë e listave zgjedhore edhe sindikatat, ka qenë sindikata e bujqve, kryetari i sindikatës me aq sa kujtoj ka qenë kandidat për deputet, në ndërkohë tash kemi barrikadim dhe s’ka as aktivitet, as dialog, përkundrazi siç u përmend, ka cenim dhe ndërsymje ndaj sindikatave”, tha Jakaj në “Tempus“.
Sipas tij, partitë e majta kanë qasje ndryshe para ardhjes në pushtet dhe pas ardhjes në pushtet, ku pas ardhjes në qeverisje vijnë me pretendimin se gëzojnë besimin e sindikatave ose të anëtarëve sindikal dhe nuk kanë nevojë më për sindikatat.
Po ashtu, Jakaj ka komentuar edhe Ligjin për pagën minimale, ku tha që presin që ky Ligjj nuk do ta kalojë filtrin e Gjykatës Kushtetuese dhe besojnë që do të rrëzohet.
“Është mirë që të rrëzohet si Ligj i tillë sepse nuk ka kuptim as jeta e punëtorit, as jeta e sindikatave, as marrëdhënia e punës sikur ky ligj të përcaktohet atje. Është hequr kjo barra tatimore deri në 250 euro, por si politikë është e kotë dhe nuk është që i ndihmon shumë punëtorit, i ndihmon për 9 euro ose 8 euro por jo më shumë, në anën tjetër e cenon fundamentin e drejtësisë sociale për të cilën Lëvizja Vetëvendosje ka proklamuar dhe ka thënë që unë jam e vetmja jo vetëm në Kosovë por edhe në Ballkan”, tha Jakaj.
Jakaj: IKD do shqyrtojë ushtrimin e padisë për mospërfaqësim të sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale
Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), deklaroi se IKD-ja do ta shqyrtojë seriozisht që për të tre akterë të institucioneve të ushtrojë padi për cenim të sindikatave në përfaqësim të Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale.
Jakaj është deklaruar se në rast se nuk ka veprime, IKD do të ushtrojë padi ndaj Guvernatorit të BQK-së, Ahmeti Ismaili, ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe Auditores së Përgjithshme, Vlora Spanca.
“Ne si IKD do ta shqyrtojmë seriozisht që për të tre akterët e institucioneve të ushtrojmë padi për mosveprim dhe për cenim të sindikatave në mospërfaqësim te Bordi i Fondit të Kursimeve Pensionale”, tha Jakaj në “Tempus”.
Gjithashtu, Jakaj përmendi se Instituti i Kosovës për Drejtësi, bashkë me Sindikatën e Bashkuar të Arsimit dhe me Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kanë publikuar një doracak për shpalljen e grevës së ligjshme.
Ai thotë se gjatë muajve të ardhshëm, Instituti i Kosovës për Drejtësi do të jetë “syçelë” në kuptimin që të drejtat sindikale në Kosovë të fillojnë që të zbatohen.
“Si IKD prej muajit të ardhshëm do të jemi më syçelë, në kuptimin që këto të drejta të nisin të zbatohen, ta zëmë për shembull ne patëm një komunikatë së fundi në lidhje me mospërfaqësimin e sindikatave në Bordin e Fondit të Kursimeve Pensionale, ku prej 23 korrikut kur u miratua Bordi, në mungesë të përfaqësuesit të sindikatës, të punëmarrësve dhe një anëtari tjetër pa të drejtë vote nga ana e Qeverisë, po bëhen tash 11 muaj që kur ky ligj nuk zbatohet dhe përfaqësimi i sindikatave nuk është në Fondin e Kursimeve Pensionale”, tha Jakaj.
Lidhur me këtë mospërfaqësim të sindikatave në Bord, Jakaj tha që kanë kërkuar nga të tre akterët përgjegjës: Guvernatori, Ministri i Financave dhe Auditorja që të nisin zbatimin e ligjit dhe se cilat janë arsyet se pse në këtë rast nuk zbatohet ligji apo nuk po shpallet konkursi.
Kalaj: Partneriteti social mes Qeverisë dhe sindikatave në fazën më kritike
Veterani i sindikalizmit, Ndue Kalaj, ka deklaruar se partneriteti social mes Qeverisë dhe sindikatave është në fazë kritike.
Kalaj, i cili tani është pensionist, ka thënë në “Tempus” se duke u bazuar në njoftimet dhe informatat që i ka, beson se situata e raportit të partneritetit social në mes të Qeverisë dhe sindikatave në përgjithësi është në fazën më kritike të mundshme.
Ai gjithashtu tha se kohën kur ai ka qenë kryetar i Komisionit për Status dhe Ligje, kanë pasur bashkëpunim të mirë me Qeverinë.
“Ne kemi bashkëpunu mjaft bukur dhe kemi arritë t’i nxjerrim të gjitha aktet normative, përkatësisht të gjithë rregullativën ligjore që rregullon edhe raportet e brendshme edhe funksionalizimin e sindikatës, por njëkohësisht edhe partneritetin social në mes të sindikatës dhe Qeverisë”, tha Kalaj.
Gjithashtu, Kalaj ka theksuar se në kohën kur ai ka qenë kryetar i Komisionit për Status dhe Ligje, kanë nxjerrë ligjin sipas tij me peshë shumë të madhe mbi Këshillin Ekonomiko-Social, ligj ky i cili e detyron Qeverinë dhe sindikatën me qenë partnerë social.
Azemi: Rreth 200 mijë punëtorë e kanë lëshuar Kosovën në katërmujorin e parë të këtij viti
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, tha se mbi 400 mijë të rinj janë larguar nga Kosova në katërmujorin e parë të këtij viti, e që sipas tij kjo nënkupton se rreth 200 mijë kanë qenë punëtorë që e lëshuan vendin.
“Kemi një mungesë të punëtorëve që ua kam thënë me vetëdije, në katërmujorin e parë sipas të dhënave që ne kemi kanë kalu mbi 400 mijë të rinj, e që nënkupton rreth 200 mijë kanë qenë punëtorë që e kanë lëshu Kosovën, kjo dikë e dëmton”, tha Azemi në “Tempus“.
Sipas tij, në disa sektorë përfshirë atë të ndërtimtarisë gjendja ka ndryshuar, por që kjo thotë se nuk është meritë e Qeverisë.
“Gati nuk kemi pagë të punëtorëve sidomos në ndërtimtari që ka pagë nën 600 euro, por kjo nuk është meritë as e Qeverisë, por e mungesës së punëtorëve”, tha ai.
Azemi tha se po kalojnë një periudhë shumë të rëndë por që po bëjnë atë që munden.
Pagesën prej 250 euro për punëtorët teknikë, ai e quan “mizerie”, ndërsa tha se Qeveria Kurti i ka sanksionuar.
Ai tha se krahas problemeve tjera, sfidë mbetet edhe çështja e financimit ngase tek ata bëhet më ndryshe.
“Është jashtëzakonisht problematike sepse çështja e financimit tek ne bëhet pak më ndryshe. Tek sfidat e inkasimit ne kemi pasur sepse është Ligji mbi organizimin sindikal i cili në moment që ti ia qet të dhënat e punëtorit të nënshkruar që e obligon pronarin e kompanisë që t’i ndalë mjetet për sindikatë, tani kanë filluar disa pronarë të kompanive ndoshta po them kështu me shtyrjen e institucioneve shtetërore dhe nuk janë duke e bërë këtë. Ne normal që kemi kërkuar nga Inspektorati i Punës që të na ndihmojë në këtë rast”, tha Azemi, duke shtuar se tash e dy muaj nuk kanë marrë përgjigje.
Sipas tij, është premtuar një marrëveshje kolektive por sot e asaj dite punëtorëve të sektorit privat iu cenohet e drejta sepse nuk ka një marrëveshje kolektive.
Kreu i sindikatës së punëtorëve të sektorit privat thotë se ka punëtorë teknikë në Parlamentin e Kosovës që iu ofrua paga 275 euro, e në Universitetin e Prishtinës mbi 250 punëtorë paguhen nga 293 euro.
“Kryesisht te ata punëtorë ku kryhen shërbime përmes kompanive private, kompanitë private marrin punë nga institucionet shtetërore, këtu e kemi gjendjen jashtëzakonisht shumë të rëndë. E thash që tani kemi punëtorë të Parlamentit të Kosovës, punëtorë teknikë që iu është ofruar një pagë 275 euro. Kemi në Universitetin e Prishtinës mbase 250 punëtorë që marrin pagë 292 euro dhe ne pothuajse gati pjesa më dërmuese nga janari deri tash e kemi kaluar me protesta, me greva dhe çka është për ironi 1 muaj ditë qëndruam në grevë në UP dhe sulmin më të madh e kemi pasur se i kemi fut punëtorët jashtëligjshëm, kemi me i dënu…nuk thirrin që të ulemi të bisedojmë”, tha ai.
Në nivele komunale, ai thotë se problemet i zgjidhin më shpejtë, ndërsa ku kanë probleme me Qeverinë është më ndryshe.
Në rast të zgjedhjeve, ai thotë se e ka për obligim që qytetarëve t’ua thotë një fjalë.
“Që Qeveria e Kosovës dhe dikasteret kompetente për punëtorët e sektorit privat e ka mbyt, e ka shkelë”, tha ai.
“Qeveria bën çdo luftë ta shkatërrojë SBASHK-un, Kurti do mbahet mend si armik i sindikatave”
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), tha se Qeveria e Kosovës bën çdo luftë ta shkatërrojë SBASHK-un dhe se Kryeministri Albin Kurti do të mbahet mend si armik i sindikatave.
“Le t’i bëjë edhe 30 lufta. SBASHK-u do të jetojë se ka jetu në vite të tmerrshme në vitet ’90-ta. Aty e kemi na fillin e unitetit dhe këto vitet e pasluftës që kemi ra në shoshë e në sitë. Ne nuk e kemi pas të lehtë as në kohën e Ramush Haradinajt, kemi ba një grevë tri-javore. Por, asnjë sulm publik nga Qeveria madje as nga Facebook nuk e kemi pas. Në këtë Qeveri, shaj Qeveria, mëshoi Qeveria, nxiti Facebook-at dhe unë po them që Kurti për mua dhe SBASHK-un do të mbahet mend si armik, si luftëtar kundër sindikatave në Kosovë”, tha Jasharaj.
Në “Tempus” të KTV-së, Jasharaj tha se ata dhe sindikatat tjera më të vogla po goditen vazhdimisht. Ndërsa, goditje të rëndë e cilësoi obligimin për regjistrimin e sindikalistëve në platformën e-Kosova.
“Jemi goditur edhe ne, po goditen rëndë e goxha vështirë që të mbesin në këmbët e tyre iu ka ndodhur sindikatave numerikisht më të vogla. Ato buxhetin e kanë pasur të akumuluar shumë pak ngase edhe hyrjet e tyre buxhetore kanë qenë shumë modeste, e kur janë ndërprerë ato me aq pak para nuk kanë mundur me mbajtë as një zyre”, tha Jasharaj.
Ai tha se fati i SBASHK-ut ka qenë që kishin numër të konsideruar të anëtarëve.
“Para këtij sulmi të zotëri Muratit ne kemi pasur 26 mijë anëtarë, të gjithë e kanë pagu kuotën e cila te na me statut është 05 në pagën bazë dhe kjo krijonte goxha buxhet dhe për inat të Muratit e publikisht e kemi thënë se edhe po të na ndodhte 7 vite të mos kishim asnjë të hyrë nga kuota, ne do t’i mbanim të gjitha aktivitetet edhe me pushimet në deti edhe të gjitha”, tha Jasharaj.
Kryetari i SBASHK-ut thotë se kishin kujdes me buxhet dhe po ashtu kishin buxhet të akumuluar, pasi kishin anëtarë shumë dhe e paguan kuotën.
Pavarësisht të gjithave, ai tha se kishin arritur ta krijonin një buxhet që është i mirë për rrethanat në të cilat është Kosova.
“Murati duke e parë këtë dhe madje kemi pas rastësisht një takim te Murati me sponsorizimin e kryetarit të kolegut që është i Doganave sepse ata i kanë marrëdhëniet më të mira sepse shteti ynë i ka sytë në Dogana dhe e bëri hatri i atij. Ata u ankuan çka na bëri me këtë, ai e tha, i plasi pak barku, ‘këqyreni pak SBASHK-un’ se ai gjithmonë ka këqyrë pak me një sy te tjerët, me dy sy te na. Dhe çka ndodh e keqja tjetër, goditja tjetër që s’mund ta quaj ndryshe veç pafytyrësi, se kur e pa që po mbërrijnë na me kthy numrin sepse është besimi tash e kanë bërë një stil tjetër, një pjesë goxha të madhe diku 1 mijë anëtarëve që neve na i bijnë vërtetimet nga e-Kosova që janë regjistruar, që në lista të pagave ju shënohet, nuk ndalen në Thesar. Domethënë ne jemi të goditur edhe me një goditje tjetër”, tha Jasharaj.
Jasharaj tha se tani janë mbi 19 mijë anëtarë, ndërsa thekson se nuk ka tërheqje përveç në rastet e pensionistëve që largohen nga listat. Ai tha se pret që ky numër të rritet.
I njëjti shtoi se e-Kosova nuk i pranon mësimdhënësit që nuk janë shtetas të Republikës së Kosovës.
Jasharaj: Qeveria Kurti që nga fillimi ka pasur qasje të gabuar ndaj sindikatave
Rrahman Jasharaj, kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), tha se Qeveria Kurti nga fillimi ka treguar qasje të gabuar ndaj sindikatave.
I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV, Jasharaj tha se ky vit dhe dy vjetët e kaluar ishin më të vështirët që nga paslufta për sindikatat.
“Edhe ky vit, edhe dy vitet e kaluara mund të them që janë nga më të vështirat në vitet e pasluftës në Republikën e Kosovës ngase fatkeqësisht këtë e kemi thënë edhe publikisht, Qeveria Kurti që nga fillimi ka pas një qasje të gabuar e të keqe ndaj sindikatave në përgjithësi dhe nuk e ka dëgjuar zërin e tyre. Madje, në fillim edhe opinioni e di se ka pasur edhe tendenca të përzierjes dhe të ndryshimit të kuadrove në njërën prej sindikatave”, tha Jasharaj.
Ai tha se Kurti fillimisht kishte përmendur Sindikatën e Shëndetësisë dhe atë të Arsimit, të cilat konsideroheshin numerikisht si sindikata më të mëdha.
“Te ne nuk ka arritur fatmirësisht të bëjë ndërhyrje që thotë populli ‘t’i shti duart’, mirëpo viti 2022 dhe shtatori i vitit 2022 shënoi pikën e vlimit ku Qeveria në vend të dialogut i cili mungon në tërësi jo vetëm te sindikata e sektorit publik por edhe te sindikatat e sektorit privat, në vend të dialogut zgjodhi rrugën e sulmeve të vazhdueshme duke përmendur emra, duke i dhënë kështu hapësirë atyre dashamirëve të vet në Facebook që të bëjnë fyerje e sharje nga më të ndryshmet”, tha Jasharaj.
Ai thotë se shtatorin e vitit 2022 do ta mbajë mend si muajin më të vështirë dhe muaj i cili ka lënë pasoja edhe në shëndetin e tij.
Kreu i SBASHK-ut thotë se Qeveria në vend që t’i gëzohej pezullimit të grevës, iu iku takimeve.
Sipas tij, ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci po vazhdon t’iu ikë takimeve me ta. Ai thotë se goditja e fundit ishte obligimi për regjistrimin në platformën e-Kosova, e për këtë kritikon ministrin e Financave, Hekuran Muratin.
“Qeveria Kurti ka qasje të gabuar dhe goxha armiqësore ndaj sindikatave në Kosovë, dëshira e tyre është t’i zhdukë e madje t’i krijojë sindikatat e veta të cilat do t’i rrinin gatitur”, tha Jasharaj, duke shtuar që kjo nuk është arritur.