Naim Jakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se deri tani askush nuk ka dërguar informacione që të nisen procedura ligjore për ta shpallur Listën Serbe jokushtetuese.
Jakaj tha në emisionin “Tempus” se Lëvizja Vetëvendosje ka pretenduar se nënkryetari i Listës Serbe, ka qenë i përfshirë në rastin Banjska.
“Me pretendimin se nënkryetari i saj ka qenë i përfshirë në rastin Banjska, se Lista Serbe ka qenë e përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë nga një grup që ka qenë i udhëhequr nga nënkryetari i atëhershëm (Milan) Radoiçiq”, tha Jakaj.
Ai tha se një gjë e tillë po rezulton të jetë hipokrite, ngase Prokuroria Speciale ka theksuar se deri më tani askush nuk ka dërguar informacione në Prokurori për çështje që lidhen me atakimin ose nisjen e procedurave në mënyrë që Lista Serbe, me procedura të rregullta gjyqësore të shpallet si organizatë politike e jokushtetuese.
“Ne pamë edhe deklarimin dhe komunikatën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës se deri tani askush nuk ka dërguar informacione tek Prokuoria për çështjet që lidhen me nisjen e procedurave që një parti si Lista Serbe të shpallet si organizatë politike e jokushtetuese që cenon vlerat kushtetuese dhe rrezikon ato”, tha Jakaj.
Po ashtu, Jakaj përmendi që propozimi për votimin ndaras të nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitetet pakicë u bë nga ministri në detyrë Elbert Krasniqi që vie nga radhët e komunitetit egjiptian. Tha se edhe komunitetet tjera do duhej të ishin më shumë në funksion të garantimit të kushtetutshmërisë për secilin komunitet në vend. /BetimipërDrejtësi
