TEMPUS

I mbijetuari i masakrës së Dubravës: Numri i të vrarëve mund të jetë më i madh se 117

Bislim Zogaj, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, në emisionin “Tempus” në KTV, të hënën, tha se numri i të vrarëve në këtë masakër mund të jetë më i madh se 117. Sipas tij, dihen me emra dhe mbiemra organizatorët e kësaj masakre.

“Pas 24 vjetëve, ende nuk e kemi asnjë iniciativë më konkrete për ta vërtetuar, apo dënimin e atyre që e kanë organizuar, menaxhuar dhe ekzekutuar këtë ngjarje, që definitivisht është prej ngjarjeve më të dhimbshme”, tha Zogaj.

Ai tha se kjo masakër dallon nga të tjerat për dy arsye: kohëzgjatja është pesë ditë dhe ka ndodhur në një institucion që është dashur të kujdeset shteti t’i mbrojë të burgosurit.

“Përkundrazi, këtë masakër e ka organizuar shteti. Kur them e ka organizuar shteti, kemi argumente dhe fakte që Burgu i Dubravës është zbrazur nga të burgosurit kah muaji maj i vitit 1998 dhe pastaj është zbraz për shkaqe sigurie. Të paktën sipas një urdhri të një ministri të Drejtësisë të asaj kohe të ish-Jugosllavisë gjoja se po bëhet transferimi i të burgosurve nëpër burgjet tjera për shkaqe sigurie dhe me po të njëjtën arsye pastaj kthehen nga burgjet e Serbisë dhe të Kosovës, gjoja për shkaqe të sigurisë”, tha Zogaj.

I mbijetuari i masakrës së Dubravës shtoi se përveç ministrit të Drejtësisë, përgjegjës janë edhe drejtori i burgut, gardianët, e të tjerë.

“Pra, këtu kemi me emra dhe mbiemra se kush e ka organizuar këtë masakër”, tha ai, duke shtuar se numri mund të jetë më i madh se 117 të vrarë, sepse kishte të grumbulluar edhe të burgosur e qytetarë të tjerë në burgun e Dubravës.