Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
TEMPUS

Gërxhaliu: Kosova është shndërruar në një shtet të varfër, i njerëzve të pasur

Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, tha se për fat të keq Kosova është shndërruar në një shtet të varfër, i njerëzve të pasur.

Sipas tij, si duket njerëzit e pasur nuk e kuptojnë krizën dhe ciklin e krizës që ka goditur Kosovën.

“Por, definitivisht janë dy faktorë të cilët e kanë nxjerrë dhe kanë ndikuar ndoshta në masë më të madhe që të jemi këtu që jemi me këtë sado pak stabilitet social, është sektori privat i cili ka bërë shumë hapa krahasuar me politikën dhe e dyta është diaspora që edhe në këto kohë të krizës po e mban atë solidaritetin me Kosovën”, ka thënë Gërxhaliu në “Tempus” të KTV-së të martën.

Tutje, ai ka thënë se Kosova ka arsye dhe nevojë për një vizion dhe qasje tjetër të ekonomisë.

“Në këtë drejtim, besoj që nuk duhet gjithmonë të humbet kohë që të gjejnë arsye për dështim se ato janë evidente, por të ulet të ketë dialog dhe vërtet ky dialog të jetë në funksion të së ardhmes. Çka e karakterizon këtë vit është arroganca e pushtetit, është mungesa e dialogut publiko-privat, është do të thotë një afërsi mes qytetarëve dhe pushtetit dhe kjo besoj duhet të jetë një brengë e cila duhet të na brengosë edhe vitin e ardhshëm, por janë këto shifra të cilat vërtet duhet të analizohen, është politizimi i skajshëm”, shtoi ai.