Arbëri

Gërxhaliu: Mungesa e sundimit të ligjit e ka kthyer Kosovën në shtet të varfër të njerëzve të pasur

Ekonomisti Safet Gërxhaliu ka thënë se mungesa e sundimit të rendit dhe ligjit e ka kthyer Kosovën në një shtet të varfër të njerëzve të pasur.

Gërxhaliu në një bisedë për emisionin “SOT” në KTV, ka thënë se në Kosovë gjatë viteve ka pasur gabime të shumta në menaxhimin e aspektit ekonomik.

“Kur dominon agjenda politike në një shtet, atëherë anashkalohet rëndësia e ekonomisë dhe progresit ekonomik”, ka thënë Gërxhaliu. “Besoj se emëruesi i përbashkët çka e karakterizon ekonominë e Kosovës deri në vitin 2020, është mungesa e sundimit të rendit e ligjit. Fal kësaj mungese jemi ku jemi sot. Nëse shikoni indikatorët ekonomik, atëherë janë shqetësues”.

Gërxhaliu ka thënë se pandemia COVID-19 dhe së fundi lufta në Ukrainë kanë bërë që bota të mos jetë siç ka qenë dhe se duhet të përgatitemi për një rirenditje ekonomike.

Ai thotë se pavarësimi ekonomik është ndër sfidat kryesore ku duhet orientuar shtetet, e Kosova po ashtu.

“Kosova ka hyrë në krizë me krizë. Nëse dikujt i thua se inflacioni në Kosovë është 15 për qind, atëherë është shqetësues. Shqetësues është edhe fakti se inflacioni në Eurozonë është 8.7 për qind e pjesa dërrmuese e shteteve të BE-së kanë inflacion dyshifror. Shtylla e ekonomisë dhe sociale kanë qenë diaspora e remitencat. Ato remitenca s’do ta kenë më efektin që e kishin. Do të jenë sfida të shumta. Institucionet vendore besoj se e kanë kuptuar se kriza e efekti i krizës nuk zgjidhen me retorikë, nuk zgjidhje me humbje kohe, kërkohet vizion e guxim politik e ekonomik, që efektet t’i minimizojnë. Një ndër ekonomitë më të fuqishme në Evropë, Gjermania më tepër ka importuar se eksportuar në qershor të vitit 2022, është shqetësim i madh. Kosova është e varur nga importi dhe ne kemi importuar inflacion, që është dyfishuar nga tregtarë e spekulantë ekonomikë, barrën më të madhe të kësaj e paguan qytetari i Kosovës. Fal kësaj krize e mungesës së sundimit të rendit e ligjit në vitet e fundit ka ndodh që Kosova është shnëdërruar në shtet të varfër të njerëzve të pasur”, ka thënë Gërxhaliu.

Gërxhaliu ka thënë se sfida më e madhe nëpër botë nuk do të jetë ushqimi, por energjia elektrike, duke marrë parasysh varësinë që kanë vendet evropiane nga gazi dhe nafta ruse.