Arbëri

Gërxhaliu thotë se do të ketë sërish shtrenjtim të rrymës: Koha për një qeveri që mendon për shtet

Bizneset e mëdha kanë protestuar për herë të dytë të Prishtinë të mërkurën, ndërsa kanë kërkuar që të shtyhet për një vit dalja në treg të lirë të energjisë. Ato kanë paralajmëruar protesta të tjera nëse ZRRE-ja nuk e pezullon vendimin për 10 ditë. 

Safet Gërxhaliu, njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë se komuniteti i biznesit është nën presion, teksa ka përmendur efektet negative për Kosovën me bizneset që sipas tij mund të vihen në rrezik shuarje për shkak të vendimit për treg të lirë.  

“Kosovën e ka kapluar një politike që është jo në koordinim me realitetin. Nëse sot kemi pasur dështimin e 30-të për të zgjedhur kryeparlamentarin, si  do të pritet të zgjidhet një kërkesë legjitime e sektorit privat brenda 10 dite. Komuniteti i biznesit meriton trajtim të veçantë. Janë tri efekte negative që gjenerohen me automatizëm, e para Kosova po shndërrohet në shtet të varur nga importi, e dyta, Kosovës po i tkurret eksporti dhe e treta nga Kosova nuk po ikin vetëm qytetarët por po ikë kapitali”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së. 

Sipas Gërxhaliut, nuk ka rritje “substanciale” ekonomike në vend, pavarësisht se thuhet e kundërta. 

Ai ka paralajmëruar se në vitet në vijim do të ketë sërish ngritje të energjisë elektrike. 

“Janë tri etapa të ngritjes së çmimit, është kjo që po  bisedojmë tani, e dyta, fati i çmimit të energjisë është në duart e atyre që e kanë në dorë tregun e energjisë dhe e treta, nga viti 2026 Kosova do hyjë në garë të re ku duhet të paguajë për dioksid karbon si taksë përballë BE-së. Do të ketë rritje të çmimit të energjisë sërish. Është koha që një qeveri që mendon për shtet dhe qytetarë, jo për pushtet, ta ketë prioritet gjetjen e mundësive për investime dhe ngritje të kapaciteteve prodhuese”, potencoi ai.