TEMPUS

“Kryeministri dhe vartësit e tij, në emër të shkapjes po tentojnë të kapin sistemin”

Yll Zekaj

Yll Zekaj

Avokati Yll Zekaj, tha se Kryeministri Albin Kurti dhe vartësit e tij po tentojnë ta kapin sistemin e drejtësisë duke u thirrur në shkapjen e tij.

Fillimisht, Zekaj tha se sistemi i drejtësisë ka qenë i brishtë dhe sipas tij Kryeministri e ka gjetur pikën e dobët për ta sulmuar këtë sistem për populizmin e vet tek qytetarët.

“Sistemi i drejtësisë edhe ashtu ka qenë një sistem i brishtë, i trashëguar me një numër të madh të lëndëve, mungesë të dukshme profesionalizmi, pastaj edhe ndikimet e ekzekutivit e kanë thelluar mosbesimin e qytetarëve. Kjo ka qenë besoj edhe kauza e Kryeministrit pse ka gjetur pikën më të dobët në sistem për ta sulmuar dhe ndoshta për ta marrë këtë populizmin e vet në masën e qytetarëve”, tha Zekaj në “Tempus“.

Avokati Zekaj tha se akuzat e përditshme të Kryeministrit dhe vartësve të tij vetëm se e zbehin besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë.

“Kemi pa edhe raportet ndërkombëtare, edhe raportet e Ambasadës Amerikane dhe ambasadave të tjera që faktikisht që kanë deklaruar hapur për një sistem të kapur siç është sistemi i drejtësisë sidomos pjesa e sistemit prokurorial dhe pikërisht këtu ka sulmuar Kryeministri Kurti me tendencën e reformimit të këtij sistemi prokurorial, por në atë që për ta shkapur nga një sistem i vjetër dhe për ta kapur nga një sistem i ri. Ky është një reflektim që shihet në sistemin e drejtësisë në Republikën e Kosovës. Këto akuza të përditshme që janë me baza ditore nga Kryeministri dhe vartësit e tij, vetëm më shumë e zbehin besimin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, tha Zekaj. /BetimipërDrejtësi

 


Miftaraj: VV-ja po merr njerëz të dështuar nga partitë tjera, bëri draft skandaloz të Strategjisë

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), tha se Lëvizja Vetëvendosje është duke marrë njerëz të dështuar nga partitë e tjera politike dhe se ka bërë një draft skandaloz për Strategjinë Kundërkorrupsion.

Miftaraj, këtë e tha të hënën në emisionin “Tempus” në KTV, duke shtuar se këta njerëz kur kanë qenë në partitë e tjera nuk kanë qenë afër partive kur janë hartuar politikat dhe ligjet.

“Janë disa faktorë që kemi ardhur në një situatë të tillë. E para është: Pa pikë dyshimi, Lëvizja Vetëvendosje fatkeqësisht është duke marrë njerëz nga PDK-ja, AAK-ja, LDK-ja që kanë qenë njerëz të dështuar në këto parti, të cilët në kohën kur kanë qeverisur këto parti nuk është se kanë qenë afër partisë për të hartuar politika-ligje. Do të thotë, nëse marrin sot Strategjinë Kundërkorrupsion udhëhiqet nga një person e cila ka qenë këshilltare e Abelard Tahirit edhe e njëjta sot udhëheq me grupin punues edhe pse është këshilltare politike, po flasim për Strategjinë Kundërkorrupsion”, tha Miftaraj.

Ai gjithashtu shtoi se nuk është e logjikshme që dikush t’i thotë vetes jurist dhe të bëjë një dokument të dobët siç ka qenë sipas tij Drafti për Strategjinë Kundërkorrupsion.

“Nëse shohim draftin e parë, draftin e dytë të kësaj Strategjie që është hartu, do të thotë është një draft skandaloz. Është një draft që ne si IKD kemi jep komente dy herë nga 10-12 faqe. Do të thotë, s’ka logjikë që dikush me e pas titullin jurist, me pas përvojë kaq të gjatë e me e hartu një dokument kaq të dobët sa që janë alarmu si Zyra e BE-së, si Ambasada Amerikane, si krejt partnerët ndërkombëtarë me draftin e kësaj strategjie”, tha Miftaraj.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së shtoi se kishte arrogancë sidomos nga udhëheqësia e grupit punues në këtë Strategji.

“Do të thotë faktori numër dy është se e kanë një arrogancë aq të teprume saqë e njëjta këshilltare në grupin punues për Strategji i thotë grupit punues ku ka pas anëtarë të shoqërisë civile, partnerë ndërkombëtarë se nëse doni ta bëni ju strategjinë dilni fitoni ju 50 % të votave. Do të thotë, kjo është qasja jo primitive po arroganca, ku do të thotë që ky person që e ka marrë këtë pushtet prej Kryeministrit Kurti tash mendon që krejt shteti është i saj”, tha Miftaraj. /BetimipërDrejtësi
 


Bunjaku: Jam në mëdyshje nëse Kryeministri dëshiron “të bëhet” gjyqtar apo prokuror

Viola Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL, tha se është  bazuar në gjitha kritikat ndaj sistemit të drejtësisë, është në mëdyshje nëse Kryeministri dëshiron “të bëhet” gjyqtar apo prokuror.

“Për shkak se sa herë prokuroria e lëshon një gabim, Kryeministri ose ministrja janë ata të cilët e kritikojnë sistemin prokurorial dhe e lavdërojnë sistemin gjyqësor, ndërsa sa herë e bëjnë sistemi gjyqësor një gabim, ministrja dhe Kryeministri drejtohen në anën e sistemit gjyqësor dhe e lavdërojnë për vendimin, ndërsa kritikojnë prokurorinë për hetimet e zhvilluara”, tha Bunjaku.

Ajo tha se nuk mund të themi që kemi pushtete të ndara kur vazhdimisht kemi një Kryeministër dhe një ekzekutiv, i cili vazhdimisht kritikon sistemin prokurorial dhe sistemin gjyqësor.

“Që padyshim ata bëjnë vetëm punën e tyre duke u thirrur në Kushtetutë dhe në aktet e tjera ligjore.

Kjo reformë në drejtësi normalisht që është filluar me shumë polemika në mes të tri pushteteve, padyshim që ka filluar kështu sepse ka qenë vetë pushteti ekzekutiv i pari i cili ka filluar me sulmet ndaj sistemit prokurorial dhe atij gjyqësor, dhe këtë e ka filluar që nga fillimi i mandatit”, tha Bunjaku. /BetimipërDrejtësi


Zekaj: Dështim në secilën pikë, më shumë dëmtim sesa përmirësim në sistem të drejtësisë

Avokati Yll Zekaj, tha se nuk shohin asnjë ndryshim në sistemin e drejtësisë falë iniciativave të Qeverisë aktuale. Sipas tij, kemi dështim në secilën pikë të këtij programi qeverisës, madje më shumë dëmtim sesa përmirësim në sistem të drejtësisë.

“Absolutisht, gjithë praktikuesit e ligjit i kanë duartrokitur të gjitha iniciativat e kësaj Qeverie që nga koha kur ka qenë në opozitë dhe programi i tyre për qeverisje që ka qenë punësim dhe sundim i ligjit, për shkak të qëllimit legjitim për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë”, tha Zekaj në “Tempus”.

Ai tha se sistemi i drejtësisë ka qenë në katrahurë të përgjithshme, ka pasur nevojë për ndryshim dhe për këtë tha se e kanë mirëpritur çdo iniciativë lidhur me reformën e drejtësisë.

Zekaj tha se është një numër i madh i lëndëve që presin të marrin epilog, por që nuk po shohin asnjë ndryshim falë iniciativave të Qeverisë.

“Duke filluar prej reformave në sistemin prokurorial, edhe prej Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë, duke dëshiruar që të shohim një gjendje më të mirë rreth korrupsionit, krimit të organizuar e të tjerë, ajo çfarë ngjau tash e 3 vite e gjysmë, gati në vitin e fundit të qeverisjes nuk shohim asnjë ndryshim në sistemin e drejtësisë falë këtyre iniciativave të qeverisë, domethënë kemi dështim në secilën pikë të këtij programi qeverisës ekskluzivisht sa i përket sundimit të ligjit dhe më shumë kemi dëmtim të sistemit të drejtësisë sesa përmirësim të këtij sistemi”, tha avokati Zekaj. /BetimipërDrejtësi


Miftaraj: Kanë krijuar “armik” Kushtetuesen që të arsyetohen për dështimet në reforma

Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), në emisionin “Tempus” në KTV, tha se Qeveria e Kosovës ka krijuar ‘armik’  Gjykatën Kushtetuese që të arsyetohet për dështimet në reforma.

Përpara kësaj, Miftaraj tha se kjo Qeveri ka probleme serioze në profesionalizmin për të hartuar ligje dhe politika në përputhje me Kushtetutën.

“Është e kuptueshme që kjo Qeveri po ka probleme serioze në profesionalizëm për të hartu ligje, politika që janë në pajtim me Kushtetutë. Nëse kjo Qeveri do të kishte vullnet politik që t’i adresonte komentet e Komisionit të Venecias qoftë te Vettingu, qoftë tek Ligji për KPK-në, qoftë tek Byroja, jam i sigurt që do të vinte me një ligj i cili do të mund të kalonte filtrat e Gjykatës Kushtetuese”, tha Miftaraj.

Drejtori ekzekutiv i IKD-së, tha se Qeveria ka ndërtuar narrativë që të hartojnë ligje në kundërshtim me Kushtetutën, e pastaj të kenë armik Kushtetuesen, që t’i arsyetojnë dështimet e veta për të bërë reforma.

“Sidoqoftë, si duket e kanë ndërtuar një narrativë që të hartojnë ligje që janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe pastaj ta kenë një armik diku atje përmes të cilit në njëfarë mënyre arsyetohen se pse po iu dështojnë reformat në drejtësi dhe ky armik fatkeqësisht për ata është Gjykata Kushtetuese”, tha ai. /BetimipërDrejtësi


Bugaqku: Shumica e lëvizjeve esenciale për realizimin e reformës në drejtësi kanë dështuar

Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), duke folur për reformën në drejtësi, tha se rezultatet e fundit, koha dhe qasja e mazhorancës lë shumë për të dëshiruar për efektet e arritura. Ai tha se shumica e lëvizjeve esenciale për reformën në drejtësi kanë dështuar.

I ftuar në emisionin “Tempus” në KTV,  Bugaqku tha se shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë janë që të bëhet reforma në drejtësi. Por, për këtë çështje është manifestuar edhe vullnet i partive politike në fushatë dhe i mazhorancës gjatë pushtetit.

“Duke i parë rezultatet e fundit, duke parë kohën që po kalon, duke e parë qasjen dhe mënyrën se si është trajtuar dhe zhvillu ky proces nga kjo mazhorancë, lë shumë për të dëshiruar efekti, qëllimi apo rezultati final që ka arritur sepse ju thatë edhe vetë shumica e lëvizjeve më esenciale që kanë pasur të bëjnë me realizimin e reformës në drejtësi kanë dështuar”, tha Bugaqku.

Ai tha se ato kanë dështuar aty ku nuk do duhej të dështonin, ndërsa përmendi që në shumë raste nuk janë marrë parasysh komentet e shoqërisë civile e ndërkombëtarëve, sidomos rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Bugaqku tha se sa herë që Ligjet po kontestohen në Gjykatën Kushtetuese, pothuajse çdo herë rrëzohen. /BetimipërDrejtësi