Rashit Qalaj, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, ka thënë se përgjegjësinë për vijën kufitare me Serbinë e ka KFOR-i.
“Përgjegjësi e KFOR-it sot është vetëm kufiri me Serbinë. Realisht, Policia e Kosovës nuk e ka të pranuar ose KFOR-i nuk ia ka dorëzuar përgjegjësinë Policisë së Kosovës sa i përket vetëm vijës kufitare me Serbinë. Të gjitha pjesët tjera, Policia e Kosovës është përgjegjëse dhe në pikat kufitare është Policia e Kosovës, patrullon edhe deri në kufirin me Serbinë, mirëpo ende në letër zyrtarisht përgjegjësinë kufitare me Serbinë e ka KFOR-i”, ka thënë Qalaj të martën në emisionin “Tempus” në KTV.
Ai ka thënë se sa i përket çështjes së moslejimit të shkuarjes së FSK-së në veri, është pak më ndryshe, sepse është një marrëveshje në mes të Kosovës dhe NATO-s që Forca e Sigurisë së Kosovës mund të shkojë në veri, mirëpo në koordinim me KFOR-in.
“Forca e Sigurisë së Kosovës edhe në të kaluarën shumë herë ka shkuar atje, madje ka shpëtuar qytetarë serb në kërkim-shpëtim, në liqenin e Ujmanit, e kështu me radhë, mirëpo tash kanë ndryshuar gjërat, tash e kemi Ushtrinë e Kosovës dhe Ushtria e Kosovës e dimë atë çështjen e agjendës operacionale që e ka derisa t’i mbërrijnë kapacitetet”, tha deputeti Qalaj.