Platforma e videove, YouTube, ka ndaluar influencuesin Andrew Tate për shkelje të politikave të kompanisë, raportoi BBC-ja të martën.
Kjo kompani, që është në pronësi të makinës së kërkimit Google, ndërmori këtë vendim pas Metas, që ia ndaloi qasjen Tatet në Facebook dhe Instagram.
“Ne mbyllëm kanalet që lidhen me Andrew Tate për shkelje të shumta të udhëzimeve tona të komunitetit, duke përfshirë edhe rregullat për gjuhën e urrejtjes”, deklaroi një zyrtar i Googlet.
Ish-kikboksieri u bë i famshëm në vitin 2016, kur u përjashtua nga emisioni televiziv ‘Big Brother’, për shkak se iu publikua një video duke sulmuar një grua.
Famën, 35-vjeçari i lindur në Chicago të SHBA-së, e rriti nëpërmjet ‘cicërimave’ në Twitter, ndërsa më pas qasja iu ndalua edhe nga ky rrjet social, pasi deklaroi se “gratë mbajnë përgjegjësi për sulmet seksuale”.
Për videon e publikuar, që shkaktoi përjashtimin e tij nga ‘Big Brother’, Tate kishte thënë se ishte e edituar dhe e rreme.
“Nëse një kanal mbyllet, përdoruesi nuk është në gjendje ta përdorë, zotërojë ose krijojë ndonjë kanal tjetër në YouTube”, u tha nga kompania, derisa llogaritë e Tate në Youtube kishin mbi një milion ndjekës.