Rrjeti social “X”, dikur Twitter, prezantoi thirrjet audio dhe video për përdoruesit e pajisjeve me sistemin operativ iOS në tetor të vitit 2023. Tani këtë veçori do ta kenë edhe përdoruesit e Androidit.
“Thirrjet audio dhe video në X po vijnë ngadalë te përdoruesit e Android! Përditëso aplikacionin dhe telefono nënën tënde”, njoftoi një inxhinier i “X”.
Në gusht të vitit të kaluar u njoftuan planet që të nisin thirrjet audio dhe video në platformë, si pjesë e planeve të pronarit Elon Musk për të krijuar “aplikacion për të gjithë”. Thirrje audio dhe video janë kryesisht të disponueshme për abonentët premium, që kushton 8 dollarë në muaj apo 84 dollarë në vit.
Megjithatë, të gjithë përdoruesit, përfshirë edhe ata që nuk paguajnë, mund të pranojnë, por nuk mund të bëjnë telefonata.
“X”-i e ka mundësi për çaktivizimin e kësaj veçorie, në opsionin “Settings”.
Platforma sociale gjithashtu u jep mundësinë të kufizoni personat që mund të të telefonojnë.