Tech

Musk heq dorë nga përdorimi i numrit të telefonit dhe shpjegon arsyen pse

Multimiliarderi Elon Musk ka thënë se do të ndalojë përdorimin e numrit të telefonit. Ky vendim duket se është përpjekje e tij për të promovuar opsionin e ri në rrjetin e tij social “X”, ish-Twitter, për thirrje audio/video.

Megjithatë, ky opsion është i disponueshëm vetëm për ata që paguajnë për versionin premium të “X”-it.

“Për disa muaj do të tërheq numrin tim të telefonit dhe do të përdor vetëm ‘X’-in për telefonata audio/video”, ka postuar Musk në rrjetin e tij social.

“X” filloi zyrtarisht të prezantojë thirrjet audio dhe video vitin e kaluar. Ndërsa të gjithë përdoruesit e këtij rrjeti social mund të marrin telefonata, ata që janë të abonuar mund të bëjnë telefonata. Thirrjet nuk janë të koduara, ndryshe nga telefonatat në shërbime të tjera të ngjashme si WhatsApp ose Apple FaceTime.

X ofron një veçori të quajtur “privatësia e thirrjeve”, për të cilën ata pretendojnë se ndihmon në mbrojtjen e privatësisë.

Pasi u vunë në dispozicion vitin e kaluar, Musk u përpoq vazhdimisht t'i promovonte ato. Ai ka thënë se veçoria për të bërë thirrje është pjesë e planit të tij për ta kthyer rrjetin social në një “aplikacion për të gjithë”.