Rrjeti social X, i njohur më parë si Twitter, ka filluar të shfaqë veçori që ndoshta askush nuk i ka kërkuar më parë. Këto janë funksione të thirrjeve audio dhe video.
Lajmi nuk është aq befasues pasi shefja Linda Yaccarino konfirmoi ardhjen e thirrjeve audio dhe video në gusht dhe ky është vetëm një hap në evolucionin e X drejt shndërrimit në një “aplikacion për të gjithë”, ashtu siç ka thënë pronari Elon Musk.
Pas hyrjes në X, disa përdorues priten me mesazhin “Thirrjet audio dhe video janë këtu!”, i cili përfshin udhëzime për përdorimin e veçorive të reja dhe konfigurimin e tyre. Opsionet mund të gjenden në seksionin "Settings" te Direct Messages dhe funksionet e reja gjithashtu mund të çaktivizohen.
Përdoruesit do ta kenë mundësinë të zgjedhin prej kujt t’i pranojnë thirrjet ose të mos pranojnë fare.
X nuk ka historikun më të mirë kur bëhet fjalë për krijimin e një hapësire të sigurt, veçanërisht për komunitetet pakicë, kështu që nuk do të jetë befasi nëse shumë përdorues zgjedhin të shpërfillin veçoritë e reja. Për më tepër, jo të gjithë përdoruesit do të njoftohen për veçorinë e re, e cila është aktivizuar si parazgjedhje. Pra, është ndoshta lëvizje e zgjuar që përdoruesit të kontrollojnë nëse funksioni është tashmë aktiv dhe të vendosin nëse duan ta mbajnë apo ta çaktivizojnë atë.