Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Sulmi kibernetik në Danimarkë ekspozon të dhënat e 8.8 milionë personave

Foto ilustrim

Foto ilustrim

Një sulm i madh kibernetik ka komprometuar regjistrin kombëtar të popullsisë në Danimarkë, duke u dhënë hakerëve qasje në të dhënat personale të 8.8 milionë personave. 

Autoritetet daneze e kanë cilësuar rastin si incident “jashtëzakonisht serioz”, raportoi “Euronews”.

Ministrja daneze për Çështjet Digjitale, Christina Egelund, njoftoi të hënën se persona të paautorizuar kanë siguruar qasje të paligjshme në të dhënat e regjistrit kombëtar të popullsisë.

Sipas Ministrisë për Çështjet Digjitale, të dhënat e komprometuara përfshijnë emrat, adresat dhe numrat personalë CPR, të cilët përdoren në Danimarkë si numra të sigurimeve shoqërore.

“Ky është një incident jashtëzakonisht serioz”, deklaroi Egelund, duke shtuar se autoritetet po punojnë për të përcaktuar përmasat e plota të sulmit.

Megjithëse Danimarka ka rreth gjashtë milionë banorë, regjistri kombëtar përmban të dhëna për rreth 11 milionë persona. Në të përfshihen edhe të dhënat e personave që kanë vdekur ose janë larguar nga vendi.

Sipas autoriteteve daneze, sulmuesit nuk hynë drejtpërdrejt në sistemin shtetëror, por e realizuan sulmin përmes një kompanie daneze që kishte qasje të ligjshme në regjistrin kombëtar.

Qeveria ka bërë të ditur se qasja e kësaj kompanie në sistem ende nuk është revokuar.

Ndërkohë, autoritetet kanë nisur një hetim për incidentin, ndërsa deri tani nuk kanë dhënë informacion për identitetin e personave apo grupit që qëndron pas sulmit.

Autoritetet daneze po përpiqen të përcaktojnë se cilat të dhëna janë marrë konkretisht dhe nëse informacionet e komprometuara mund të përdoren për sulme të tjera kibernetike apo mashtrime.