Gjatë konferencës E3, Square Enix e paralajmëroi “Marvel’s Avengers”, një lojë kjo e re që do t’ua mundësojë gamerëve të jenë në rolin e njërit prej heronjve gjatë aventurës e cila nuk është e lidhur me universin filmik të “Marvel”, raporton Overclock3D.
Ngjarja e lojës zhvillohet pesë vjet pas ngjarjes A-Day, gjatë së cilës teknologjia e Avengers u përdor për ta shkatërruar San Franciscon. Që nga ai moment, Avengersët konsiderohen të jashtëligjshëm. Tani ka ardhur koha që ata të konsolidohen dhe të riaktivizohen, ndërsa lojtarët do t’i kenë në dispozicion heronjtë si Iron Man, Black Widow, Thor, Captain America dhe The Hulk, shkruan KOHA Ditore.
Marvel’s Avengers do të mund të luhet në modalitetin singleplayer dhe co-op, duke ua mundësuar gamerëve që të luajnë në ekipe me deri në katër heronj. Janë premtuar karaktere dhe rajone të reja, të cilat do të publikohen më vonë si shtesa falas. Square Enix ka premtuar se loja nuk do të përmbajë loot boxe dhe as elemente pay-to-win.
“Marvel's Avengers” po zhvillohet nga ekipi i Crystal Dynamics, ndërsa loja është planifikuar për t'u lansuar më 15 maj 2020. Ajo do të paraqitet për platformat PC, Xbox One, PlayStation 4 dhe Stadia.