Tech

Spotify po synon ta konkurrojë YouTube-n me video muzikore

Kompania suedeze e transmetimit të muzikës Spotify është duke shpërndarë video muzikore me gjatësi të plotë në një lëshim të kufizuar beta për abonentët premium, duke hyrë në një zonë që YouTube e ka dominuar për gati dy dekada, ka raportuar Reuters.

Videot e muzikës do të jenë të dispozicion për përdoruesit premium në Mbretërinë e Bashkuar, Gjermani, Itali, Holandë, Poloni, Suedi, Brazil, Kolumbi, Filipine, Indonezi dhe Keni, në versionin beta, që do të nisë nga dita e mërkurë, ka thënë kompania, në përpjekje për të rritur numrin e përdoruesve.

Teksa përpiqet të arrijë 1 miliardë përdorues deri në vitin 2030, plani i ri i Spotify-it ballafaqohet me konkurrencë nga Apple Music dhe YouTube, të cilat lejojnë që përdoruesit të shikojnë video muzikore falas.

Shpërndarja e Spotify-it do të përfshijë “katalog të limituar të videove muzikore, duke përfshirë hitet nga artistët botërorë si Ed Sheeran ... ose artistë lokalë të preferuar si Aluna”.

Në mars të vitit të kaluar, Spotify ka prezantuar “klipet”, video vertikale nën 30 sekonda që ngarkohen për artistët drejtpërdrejt në Spotify.