Tech

Smartfoni i ri i avancuar i LG-së do të quhet G7 ThinQ

Divizioni për telefonat mobil i kompanisë së njohur LG është duke kaluar nëpër një fazë të vështirë.

Kompania koreane madje shkoi deri në ndërrimin e kreut të Mobile Communications për të provuar të kthejë gjërat në vend, të cilat çuan në shtyrjen e lansimit të smartfonit të ri të avancuar LG G7 dhe në vend të këtij modeli ajo solli modelin e rifreskuar V30 ThinQ në MWC 2018.

Prapashtesa ThinQ nënkupton karakteristikat e reja të veçorisë AI të cilën e ka zhvilluar LG, dhe sipas llogarisë së famshme @evleaks, smartfoni i ri i avancuar i shumëpritur në fakt do të quhet G7 ThinQ dhe se do të vijë me karakteristika të reja të veçorisë së identifikimit dhe komandave të detajuara të Google Assistant, transmeton Koha.net.

Së fundmi, edhe llogaria tjetër e famshme – Ricciolo1, ka thënë se pronarët e modelit të 2017-ës LG G6 po ashtu do të marrin të njëjtat veçori eventualisht. Një përditësim i ri i softuerit pritet të lansohet në qershor të këtij viti, nëse këto burimet e kësaj llogarie janë të sakta.

Sipas informacioneve të mëparshme, LG G7 pritet të vijë me ekran M+ LCD me një prerje për kamerën e përparme që do të jetë e vendosur në maje të telefonit. G7, po ashtu, pritet të vijë me procesorin më të fundit të Qualcommit – Snapdragon 845, 4 GB RAM memorie dhe 64 GB memorie të brendshme për versionin standard dhe 6 GB/ 128 GB për versionin Plus.