Gjatë vitit 2020, Samsungu do ta ketë një ofertë më të fortë të laptopëve, ndërsa kompania po planifikon ta zgjerojë linjën e vet Galaxy Book me modele të reja dhe më të lira. Galaxy Book Flex Alpha është një notebook i hollë dhe i lehtë 13-inçësh me një ekran QLED dhe një çmim prej 830 dollarësh. Modelet më premium janë Galaxy Book Ion dhe Flex, me çmime prej 1100 dhe 1400 dollarësh, raporton Engadget.
Galaxy Book Flex Alpha peshon 1.19 kilogramë, ndërsa Galaxy Book Flex peshon 1.1 kg. Book Ion e ka një peshë fillestare prej 0.9 kg (1.1 kg për modelin 15 inçësh). Trashësia e modelit Alpha është 13.9 mm, ndërsa pesha e dy laptopëve të tjerë është 12.9 mm.
Ashtu si modelet Flex dhe Ion, Flex Alpha e ka një sensor për gjurmë gishtash në tastierë dhe karakterizohet nga një numër i konsiderueshëm i porteve, shkruan KOHA Ditore. Ofrohen dy porte USB 3.0, një sllot USB-C, një konektor HDMI dhe një lexues i kartelave microSD.

Për ta mundësuar një çmim më të ulët të shitjes, Samsungu gjithashtu duhej t’i bënte disa kompromise në modelin Flex Alpha. Gjithashtu ofrohet një bateri më e vogël prej 54Whr (krahasuar me 69.7 Whr në dy laptopët e tjerë). Procesori grafik është gjithashtu i kufizuar dhe e përdor opsionin Intel UHD. Gjithashtu, hapësira maksimale për ruajtje është deri në 512 GB SSD, ndërsa opsionet e RAM-it shkojnë deri në 12 GB.
Galaxy Book Flex Alpha ka procesorë të gjeneratës së dhjetë Intel Core, mbështetje WiFi 6 dhe altoparlantë stereo. Samsungu nuk e ka dhënë ndonjë datë specifike të lansimit, ndërsa kompania thekson se laptopi pritet gjatë gjysmës së parë të vitit 2020.