Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Rusia pas rrjeteve sociale bllokon edhe Google Newsin

Rregullatori rus i komunikimit ka bllokuar të mërkurën Google News-in duke e akuzuar këtë shërbim të grumbullimit të lajmeve për përhapjen e informacioneve të rreme në lidhje me luftën e Rusisë në Ukrainë, ka thënë të mërkurën agjencia ruse e lajmeve Interfax.

“Ne kemi konfirmuar se disa njerëz kanë vështirësi për të hyrë në aplikacionin dhe faqen e internetit të Google News në Rusi dhe kjo nuk është për shkak të ndonjë problemi teknik nga ana jonë”, ka thënë Google në një deklaratë, raportoi Reuters.

Kompania teknologjike ka njoftuar se ka punuar për t’i mbajtur shërbimet e informacionit të qasshme për njerëzit në Rusi, për aq kohë sa të jetë e mundur.

Ky ndalim vjen pasi Google ka thënë se nuk do t’i ndihmonte platformat të shesin reklama me përmbajtje të cilat e shfrytëzojnë apo e hedhin poshtë luftën në Ukrainë.

Gjiganti i teknologjisë në fillim të muajit mars ka njoftuar se do të ndalojë shitjen e të gjitha reklamave në Rusi.

Të hënën, një gjykatë ruse ndaloi Facebookun dhe Instagramin në këtë vend, pasi i la përgjegjës për "aktivitete ekstremiste".

Vendimi erdhi pasi kompania mëmë e Facebookut, Meta ka thënë në fillim të këtij muaji se do të lehtësonte politikat e saj të gjuhës së urrejtjes për të lejuar përdoruesit në Ukrainë të përdorin shprehje të dhunshme ndaj udhëheqësve dhe ushtarëve rusë.

Artikuj të ngjashëm