Qindra punëtorë të “OpenAI”, kompanisë që bëri revolucion në botën e teknologjisë me lansimin e bashkëbiseduesit robotik “ChatGPT”, kanë kërkuar dorëheqjen e bordit të kompanisë dhe kanë kërcënuar me largim, pas një fundjave me shumë befasi në menaxhment.
“Revolucioni” nisi me shkarkimin e befasishëm të shefit ekzekutiv, Sam Altman. Më pas, shqiptarja Mira Murati u caktua shefe e përkohshme, duke e mbajtur detyrën deri të hënën.
Në një letër që ka siguruar CNN-i, më shumë se 500 punëtorë të “OpenAI” kanë kërkuar dorëheqjen e bordit të kompanisë duke e akuzuar për dështim të ofrimit të provave se Altmani nuk ishte njeriu i duhur.
“Veprimet e juaja e kanë bërë të qartë se jeni të paaftë në mbikëqyrjen e OpenAI”, thuhet në letrën e punëtorëve. “E kemi të pamundur të punojmë me ose për njerëzit që s’kanë kompetencë, gjykim të duhur dhe kujdes për misionin dhe punëtorët”, thuhet tutje në letrën, që mban edhe nënshkrimin e Mira Muratit.
Punëtorët kanë paralajmëruar po ashtu se do ta ndjekin lëvizjen e Altmanit drejt Microsoftit, nëse bordi nuk dorëhiqet dhe nuk e kthen Altmanin dhe Greg Brockmanin, ish-president që po ashtu u shkarkua të premten.
Aktualisht shef i përkohshëm i “OpenAI”, është Emmet Shear, themeluesi i Twitchit.