Zhvillimi i arkitekturës Core nga ana e Intelit, në kohën kur Ryzen po lulëzon, është mjaft i ngadaltë. Kompania duhet të implementojë më shumë bërthama dhe performanca në linjën e saj të prodhimit për të ngelur relevante në krahasim me AMD-në. Prandaj pritet që Inteli të ndihmohet nga Comet Lake-S në këtë sferë, raporton TechPowerUp.
Intel Comet Lake-S është një zgjidhje desktop për procesorët e konsumit, i cili do ta ketë një rritje të numrit maksimal të bërthamave deri në 10, por ky dizajn do të ketë gjithashtu rritje të konsumit të energjisë (deri në 135W), shkruan KOHA Ditore. Ai gjithashtu do të kërkojë furnizim më të fuqishëm për socketin e ri LGA 1200 (nëntë pine më shumë se modeli aktual LGA 1151).

Kalimi në bazën e re dhe shpenzimi më i madh do t'ia japin Intelit një shans për ta rifreskuar ofertën e vet të çipseteve edhe një herë. CPU-të e reja Comet Lake-S do të vazhdojnë të krijohen në procesin 14nm, i cili kësaj radhe do të jetë më i rafinuar dhe i përmirësuar, dhe do të duhej ta mbajë të njëjtin 16 PCIe 3.0 si linja aktuale Coffee Lake Refresh. Procesorët e rinj të Intelit priten gjatë tremujorit të parë të vitit 2020.