Aplikacioni më i ri i Microsoftit, i cili ka arritur t’i mbledhë mbi 100 milionë instalime në Google Play Store, është Outlook. Pra, ky aplikacion i bashkohet klubit, anëtarët e të cilit tashmë janë Word, Excel, PowerPoint, OneDrive, Skype, OneNote dhe SwiftKey, raporton Neowin.
Megjithatë, disa nga aplikacionet e përmendura më lart e kanë një numër dukshëm më të madh të instalimeve. Word, Excel, PowerPoint, Skype dhe OneDrive secili i ka nga mbi një miliard instalime, ndërsa OneNote dhe SwiftKey secili nga 500 milionë.
Zyrtari i Microsoftit ka theksuar në prill që Outlooku i ka 100 milionë përdorues në platformat Android dhe iOS. Megjithatë, këto statistika janë për numrin e përdoruesve, ndërsa Google Play Store e regjistron numrin e instalimeve të aplikacioneve, shkruan KOHA DItore. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Play Store nuk i regjistron instalimet në të gjitha pajisjet Android (Amazoni e ofron Outlookun në dyqanin e vet të aplikacioneve dhe situata është e ngjashme edhe me disa shitës të tjerë).
Synimi i ardhshëm për Outlookun do të jetë arritja e 500 milionë instalimeve në Play Store. Microsofti gjithmonë përpiqet t’i përmirësojë produktet e veta dhe ka marrëveshje me prodhuesit për ta riinstaluar Outlookun në pajisjet e tyre, gjë që kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në arritjen e rezultateve të lartpërmendura.