Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Tech

Netflixi paditet për mbledhje të dhënash dhe krijim varësie te përdoruesit

Netflix

Netflix përballet me një padi të re në Teksas, pasi akuzohet për mbledhje të paligjshme të të dhënave të përdoruesve dhe krijimin e një platforme që synon të krijojë varësi, veçanërisht te fëmijët dhe familjet.

Padia, e ngritur të hënën në një gjykatë shtetërore pranë Dallasit, pretendon se Netflixi ka mashtruar konsumatorët për vite me radhë duke deklaruar se nuk mbledh apo shpërndan të dhënat e përdoruesve, ndërkohë që sipas autoriteteve kompania ka gjurmuar zakonet dhe preferencat e shikuesve dhe i ka shitur këto informacione te ndërmjetësuesit e të dhënave dhe kompanitë e teknologjisë së reklamimit, raportoi të martën Reuters.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas padisë, kompania me seli në Los Gatos të Kalifornisë ka fituar miliarda dollarë në vit nga përdorimi komercial i këtyre të dhënave. Autoritetet e Teksasit pretendojnë gjithashtu se Netflixi ka përdorur të ashtuquajturat “dark patterns”, ose mekanizma të fshehtë manipulues, për t’i mbajtur përdoruesit të lidhur pas ekranit. Një nga shembujt e përmendur është funksioni autoplay, i cili nis automatikisht një serial apo program të ri menjëherë pas përfundimit të një tjetri.

Netflixi i hodhi poshtë akuzat dhe deklaroi se do t’i kundërshtojë ato në gjykatë. Një zëdhënës i kompanisë tha se padia “nuk ka bazë” dhe se është ndërtuar mbi informacione të pasakta dhe të shtrembëruara. 

Sipas Netflixit, kompania respekton privatësinë e përdoruesve dhe zbaton ligjet për mbrojtjen e të dhënave në të gjitha vendet ku operon.

Autoritetet e Teksasit argumentojnë se qëllimi i Netflixit është “të mbajë fëmijët dhe familjet të ngjitur pas ekranit, të mbledhë të dhënat e tyre dhe më pas t’i monetizojë ato për fitime të mëdha”. Në dokumentet gjyqësore thuhet gjithashtu se “kur shikoni Netflix, Netflix ju shikon ju”.

Prokurori Ken Paxton pretendon se praktikat e kompanisë bien ndesh me ligjin e Teksasit për praktikat mashtruese tregtare. Ai kërkon që Netflixi të fshijë të gjitha të dhënat e mbledhura në mënyrë të paligjshme, të ndalojë përdorimin e tyre për reklama të personalizuara pa pëlqimin e përdoruesve dhe të paguajë gjoba deri në 10 mijë dollarë për çdo shkelje.

Padia ndaj Netflixit vjen në një kohë kur shumë kompani të teknologjisë dhe rrjete sociale po përballen me procese të ngjashme ligjore për mbledhjen dhe shitjen e të dhënave të përdoruesve te palë të treta për qëllime reklamimi.