Tech

Netflixi mendon të ofrojë pako më të lira të kombinuara me reklama

Gjiganti global i transmetimit, Netflix, ka njoftuar se inflacioni, lufta në Ukrainë dhe konkurrenca e ashpër kanë kontribuuar në rënien e abonentëve që ndodhi, më të madhen në më shumë se një dekadë.

Me këtë rast është shënuar edhe një ndryshim i papritur në aksionet e kompanisë, të cilat ranë për 23 për qind.

Kjo krizë të cilën po e përjeton Netflixi, ka bërë që kompania të mendojë oferta me çmime më të ulëta të shërbimeve të mbështetura nga reklamat, raportoi të mërkurën Reuters. Kjo do të thotë se shikuesit, do të “përballen” me reklama gjatë kërkimit në platformën e Netflixit.

“Ata që kanë ndjekur Netflixin e dinë që unë kam qenë kundër përfshirjes së reklamave dhe një mbështetës i madh i thjeshtësisë së abonimit. Por, sado që e dua këtë, jam adhurues më i madh i zgjedhjes së konsumatorit”, ka thënë drejtori ekzekutiv i Netflixit, Reed Hastings.