Redmi K20 Pro u prezantua në fillim të javës së kaluar, ndërsa tani është paraqitur në shitjen e parë flash në Kinë. Kjo kompani ka theksuar se ka shitur më shumë se 200.000 telefona në periudhën prej një orë e 45 minutash, përcjell GSMArena.
K20 Pro vihet në lëvizje nga çipseti Snapdragon 855 në kombinim me 6GB/8GB RAM. Ky telefon ka ekranin 6,39-inçësh FHD+ Super AMOLED pa prerje (notch), si dhe interfejsin MIUI 10 të bazuar në softuerin Android Pie.
Për fotografim ky telefon ka tri kamera prapa: kryesorja me 48 MP, pastaj kamera këndgjerë me 16MP, si dhe ajo telefoto me 8MP. Ka edhe kamerën për selfie me 20MP, e cila gjendet në mekanizmin pop-up, shkruan KOHA Ditore.
Redmi K20 Pro ka baterinë prej 4000 mAh dhe vjen me katër kombinime të memories dhe hapësirës për ruajtje.